
Presidenti bjellorus Aliaksandr Lukashenka ka kërcënuar të sekuestrojë mbi 1,000 kamionë lituanezë të bllokuar në territorin e Bjellorusisë, pas vendimit të Lituanisë për të mbyllur dy pikat kufitare me këtë vend më 29 tetor.
Mbyllja erdhi pas incidentesh të përsëritura me balona meteorologjike që fluturonin nga territori bjellorus dhe shkaktonin ndërprerje në trafikun ajror në aeroportin e Vilniusit. Autoritetet lituaneze i cilësuan këto incidente si pjesë e një fushate hibride nga Bjellorusia dhe Rusia për të destabilizuar rajonin.
Sipas Lukashenkës, mbyllja e kufirit është një “mashtrim i çmendur” dhe pjesë e një “lufte hibride kundër Bjellorusisë”. Ai deklaroi se nëse Lituania nuk e rihap kufirin në ditët e ardhshme, Bjellorusia do të “marrë një vendim ligjor, deri në konfiskimin e automjeteve”.
“Nëse nuk e bëjnë në ditët e ardhshme, ne do të marrim vendim sipas ligjeve tona. Deri në konfiskim të automjeteve,”
— tha Lukashenka të hënën në Minsk.
Sipas tij, 1,100 deri në 1,200 kamionë lituanezë janë zhvendosur në zona parkimi me pagesë për të shmangur bllokimin e rrugëve.
Zyrtari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Rrugor të Lituanisë, Erlandas Mikėnas, tha për Radio Free Europe se shoferët janë të lodhur dhe të zemëruar, dhe disa ngarkesa rrezikojnë të prishen.
Krizës i shtohet dhe konteksti i tensionuar në Evropën Lindore, pasi dronë të paidentifikuar kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë Belgjikën dhe Poloninë, që prej shtatorit — incidente që disa zyrtarë evropianë i kanë përshkruar si testim të reagimit të Aleancës nga Moska.
Ndërkohë, Lukashenka ka paralajmëruar se çështjen e mbylljes së kufirit do ta ngrejë në kontaktet me Shtetet e Bashkuara, duke iu referuar marrëdhënieve që prej bisedës telefonike me presidentin amerikan Donald Trump në gusht. Pas asaj telefonate, Bjellorusia kishte liruar 52 të burgosur politikë në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Uashingtoni, e cila çoi në lehtësimin e sanksioneve ndaj kompanisë ajrore kombëtare Belavia, përcjell Euronews.
Të dielën, Trump nominonte diplomatin John Coale si të dërguarin e posaçëm amerikan për Bjellorusinë, me detyrë negociimin e lirimit të mëtejshëm të të burgosurve dhe ruajtjen e kanaleve diplomatike mes dy vendeve.
Mbyllja e kufirit lituano-bjellorus do të mbetet në fuqi të paktën deri në fund të nëntorit, ndërsa rreth 65 kilometra kufitare midis dy vendeve janë aktualisht nën vëzhgim të shtuar të NATO-s.