
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e mbron me çdo kusht zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pasi sipas tij, pas aferës së “Tunelit të Llogarasë” fshihet vetë Rama.
Balliu tha se ndryshe nga rastet e mëparshme me Saimir Tahirin dhe Ilir Beqajn, ndaj të cilëve Rama u distancua kur ata dolën para drejtësisë, në rastin e Ballukut kryeministri po tregohet mbrojtës.
“Qëndrimi i Ramës ndaj Belës tregon qartë se pas Belës qëndron vetë Rama. Rama gjithmonë është distancuar nga bashkëpunëtorët e tij sapo kanë dalë para drejtësisë, si me Tahirin e Beqajn. Por me Belindën ndodh ndryshe: nuk e largon, e mbron me çdo kusht. Pse? Sepse pas aferës së Tunelit të Llogarasë është vetë Edi Rama,” shkruan Balliu.
Deputeti shtoi se projekti dhe lidhjet me kompaninë turke janë bërë nga Rama vetë, ndërsa drejtësia, sipas tij, “hesht për pushtetarët që vjedhin miliona, por ndëshkon qytetarët për një dritare pa leje.”