Vendosni fjalën kyçe....

Kapri-Spiropalit: Greqia mund të na vendosë veto për BE-në – Spiropali: Kemi mbështetjen e Athinës


Deputeti Jorida Kapri ka ngritur shqetësimin se Greqia mund të vendosë veto ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, për shkak të çështjeve ende të pazgjidhura mes dy vendeve, si ajo e kufirit detar, ligjit të luftës dhe çështjes çame.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Kapri theksoi se objektivi i shpallur nga qeveria për anëtarësimin në BE deri në vitin 2029 kërkon marrëdhënie të qarta dhe pa tensione me të gjitha vendet anëtare.

Keni vendosur objektivin për anëtarësimin në vitin 2029, çka do të thotë se Shqipëria duhet të ketë zero probleme me vendet e BE-së. Por ne e dimë që me Greqinë kemi ende çështje historike të pazgjidhura: detin, ligjin e luftës dhe çështjen çame. Si do t’i zgjidhni këto, duke qenë se BE mund të vendosë veto?” – pyeti Kapri.

Në përgjigje, ministrja e Jashtme Elisa Spiropali u shpreh se Athina nuk do të jetë pengesë për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe se palët po punojnë për zgjidhje përmes dialogut.

Sot kemi mbështetjen e të gjitha vendeve të BE-së, përfshirë edhe Greqinë. Me fqinjin tonë jugor kemi marrëdhënie të mira dhe zhvillojmë takime të rregullta dypalëshe. Së shpejti, në dhjetor, do të mbahet një takim ku do të diskutojmë disa çështje të rëndësishme: delimitimin e hapësirës detare, ligjin e luftës, adresimin e të drejtave të njeriut dhe të pronës, si dhe çështjet që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri,” tha Spiropali.

Ajo shtoi se këto tema nuk cënojnë marrëdhënien mes dy vendeve dhe se bashkëpunimi me Greqinë do të vijojë në frymë konstruktive për arritjen e anëtarësimit në BE.