Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet ukrainase ndërpresin energjinë dhe ngrohjen në dy qytete ruse pranë kufirit



Dy qytete të mëdha ruse pranë kufirit me Ukrainën kanë mbetur pa energji elektrike dhe ngrohje pas sulmeve ajrore të Kievit, raportuan autoritetet lokale të dielën, përcjell AP.

Guvernatori i Voronezhit, Aleksandër Gusev, tha se një sulm me dronë shkaktoi ndërprerje të përkohshme të energjisë dhe zjarre në një impiant lokal, të cilat u shuan shpejt. Ai shtoi se disa dronë u neutralizuan me sisteme elektronike. Sipas mediave ruse dhe ukrainase në Telegram, objektivi i sulmit ishte një termocentral lokal.

Në qytetin e Belgorodit, një goditje me raketë të shtunën mbrëma shkaktoi “dëme serioze” në rrjetin e energjisë dhe ngrohjes, duke lënë pa furnizim rreth 20 mijë familje, njoftoi guvernatori Vjaçesllav Gladkov.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se forcat e saj kishin rrëzuar ose shkatërruar 44 dronë ukrainas gjatë natës mbi rajonet Bryansk dhe Rostov, por nuk përmendi incidentet në Voronezh dhe Belgorod. Ndërkohë, në qytetin Taganrog të rajonit të Rostovit, autoritetet raportuan ndërprerje disaorëshe të energjisë për shkak të një “ndërprerjeje emergjente” të linjës elektrike.

Sulmet me dronë nga Ukraina mbi rafineritë dhe impiantet energjetike ruse janë intensifikuar muajt e fundit, me synimin për të kufizuar të ardhurat e Moskës nga eksportet e naftës. Nga ana tjetër, Kievi dhe aleatët perëndimorë e akuzojnë Rusinë se po synon të paralizojë rrjetin ukrainas të energjisë për ta lënë vendin pa ngrohje dhe ujë gjatë dimrit të katërt të luftës.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se sulmet masive të Rusisë të premten goditën nënstacione që furnizojnë me energji centralet bërthamore të Khmelnytskyit dhe Rivnes. “Këto nuk ishin sulme rastësore, por të planifikuara me kujdes. Rusia po rrezikon qëllimisht sigurinë bërthamore në Evropë,” tha ai, duke kërkuar një mbledhje urgjente të Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA).

Sipas agjencisë shtetërore ruse Tass, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov konfirmoi se ka nisur puna për zbatimin e urdhrit të presidentit Vladimir Putin për të përgatitur plane për një test të mundshëm bërthamor. Urdhri erdhi pas komenteve të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi se SHBA mund të rinisë testet atomike për herë të parë pas më shumë se 30 vjetësh.

Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të dielën se Rusia do të vazhdojë të respektojë angazhimet e saj në kuadër të ndalimit global të testeve bërthamore. “Putin e ka bërë të qartë se Rusia nuk ka ndërmend të kryejë teste, përveç nëse SHBA bën e para,” tha ai.

Në një zhvillim tjetër, Lavrov deklaroi se është i gatshëm të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe. “Ne të dy e kuptojmë nevojën për komunikim të rregullt,” tha ai për agjencinë Ria, duke përsëritur se pa “marrë parasysh interesat ruse”, paqja nuk mund të arrihet.