
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, deklaroi të dielën se luftëtarët e grupit që ndodhen të rrethuar në zonën e Rafahut, e cila kontrollohet nga Izraeli, nuk do të dorëzojnë armët dhe nuk do t’i nënshtrohen Izraelit. Grupi i bëri thirrje ndërmjetësve ndërkombëtarë të gjejnë një zgjidhje për krizën që po rrezikon armëpushimin njëmujor në Gaza, përcjell JPost.
Deklarata e Hamasit vjen pas raportimeve nga Reuters se ndërmjetësit egjiptianë kanë propozuar një marrëveshje që parashikon dorëzimin e armëve në këmbim të kalimit të sigurt drejt zonave të tjera të Rripit të Gazës. Sipas burimeve egjiptiane, militantët do t’i dorëzonin armët autoriteteve të Kajros dhe do të jepnin informacion mbi tunelet në Rafah, në mënyrë që ato të shkatërrohen.
Brigadat Al-Qassam, megjithatë, e hodhën poshtë këtë ide, duke e konsideruar dorëzimin e armëve si “të papranueshëm”.
“Armiku duhet ta dijë se koncepti i dorëzimit nuk ekziston në fjalorin tonë,” thuhet në deklaratën e grupit.
Grupi paralajmëroi gjithashtu se çdo përshkallëzim mund të rrezikojë vazhdimin e armëpushimit dhe i bëri thirrje ndërmjetësve që të veprojnë “për të parandaluar shfrytëzimin e situatës nga Izraeli për të sulmuar civilët në Gaza”.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA më 10 tetor, zona e Rafahut ka qenë skena e disa përplasjeve. Izraeli akuzon Hamasin për dy sulme ndaj forcave të tij, ndërsa grupi militant i ka mohuar akuzat. Incidentet e fundit kanë shkaktuar vdekjen e tre ushtarëve izraelitë dhe dhjetëra palestinezëve.
Ndërkohë, Brigadat Al-Qassam kanë njoftuar se do të dorëzojnë trupin e ushtarit izraelit Hadar Goldin, i cili mbahej në Gaza që nga viti 2014. Që nga fillimi i armëpushimit, Hamasi ka dorëzuar trupat e 23 prej 28 pengjeve të vdekur, ndërsa Izraeli ka kthyer në Gaza trupat e 300 palestinezëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi.
Autoritetet lokale në jug të Gazës raportuan gjithashtu për një sulm ajror izraelit në Bani Suhaila, pranë Khan Yunisit, ku mbeti i vrarë një person. Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi incidentin.