
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë detajet e fundit mbi procesin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në pesë bashki: Mat, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Vlorë.
Ai u shpreh se në 80% të qendrave të votimit, procesi ka nisur në orën 07:00, ndërsa pjesëmarrja deri tani është 2.42% e qytetarëve me të drejtë vote.
“Deri tani nuk janë raportuar problematika mbi fillimin e votimit, as me përdorimin e pajisjeve elektronike të identifikimit të zgjedhësve. Të gjitha qendrat kanë paraqitur operatorët e nevojshëm,” tha Celibashi.
Ai shtoi se në 18 qendra nuk ka transmetim në kohë reale për shkak të problemeve me mbulimin e valës, por të dhënat po merren në rrugë operative.
Pjesëmarrja deri në këtë moment në të pesë bashkitë arrin 2.42%, sipas KQZ-së.