
Britania e Madhe ka vendosur të dërgojë specialistë të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) në Belgjikë për të ndihmuar autoritetet belge në përballimin e kërcënimeve nga dronët, pas disa incidenteve që shkaktuan ndërprerje të fluturimeve në aeroportet e vendit javën e kaluar, përcjell Guardian.
Shefi i ushtrisë britanike, Sir Richard Knighton, konfirmoi se Britania do të ofrojë “njerëzit dhe pajisjet tona” për të mbështetur Belgjikën, duke theksuar se ende nuk dihet origjina e dronëve të pikasur pranë aeroporteve, bazave ushtarake dhe impianteve bërthamore belge.
Incidentet çuan në ndërprerjen e fluturimeve në aeroportet e Brukselit dhe Liège të enjten e kaluar, ndërsa disa politikanë e lidhën situatën me aktivitetet e Rusisë. Gjermania dhe Franca kanë dërguar gjithashtu ndihmë teknike, ndërsa ndihma britanike pritet të vijë nga njësia speciale e RAF për neutralizimin e dronëve.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi javën e kaluar se hyrjet e dyshuara të dronëve mund të lidhen me debatin mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse në Belgjikë, ndërsa BE dhe Britania po diskutojnë një plan për t’i përdorur ato në mbështetje të një huaje prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën.
Duke folur për BBC, Knighton e cilësoi Rusinë si “kërcënimin më urgjent” për sigurinë britanike dhe theksoi nevojën për forcimin e mbrojtjes ndaj “luftës hibride”, që përfshin kërcënime kibernetike, sabotime dhe tentativa atentatesh në territorin britanik.
Ai pranoi se ushtria britanike është “dobësuar” pas tre dekadash shkurtimesh, por shtoi se buxheti i mbrojtjes pritet të rritet nga 62.2 miliardë paund në 71 miliardë deri në vitin 2028, në përputhje me objektivin për të arritur 2.6% të PBB-së gjatë këtij mandati parlamentar.
Në të njëjtën intervistë, Knighton foli edhe për rastin e tronditës të ushtares 19-vjeçare Jaysley Beck, e cila vrau veten në vitin 2021 pas ngacmimeve seksuale nga kolegë. Ai tha se ushtria ka bërë reforma të rëndësishme, përfshirë ngritjen e Njësisë së Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të pavarura për viktimat, për të garantuar siguri më të madhe për gratë në radhët e forcave të armatosura.