
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka thyer sot heshtjen zgjedhore duke bërë thirrje publike për votim në favor të kandidatëve socialistë në zgjedhjet e pjesshme lokale që po zhvillohen në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, reagoi pas publikimit të postimit të Ballës, duke kujtuar se gjatë heshtjes zgjedhore është e ndaluar të bëhen thirrje elektorale.
“Është e ndaluar të bëhen thirrje elektorale, mund të bëhen vetëm thirrje për pjesëmarrje masive. Shpresoj që kjo risjellje në vëmendje e kësaj problematike të dëgjohet”, tha Celibashi në një deklaratë për mediat, duke shtuar se procesi i votimit në të gjitha qendrat e vendit po vijon normalisht.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Balla publikoi një foto me vajzën e tij dhe u bëri thirrje qytetarëve “të votojnë për kandidatët socialistë për të vazhduar rrugën drejt #Shqipëria2030 me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë”, duke e cilësuar këtë mandat si “mandatin e rritjes së pagave, pensioneve dhe integrimit në Bashkimin Europian”.