
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar votën e tij këtë mëngjes në një qendër votimi në Prishtinë, në kuadër të balotazhit për zgjedhjet lokale që po mbahen sot në disa komuna të vendit.
Pas votimit, Kurti e cilësoi këtë ditë si “një ditë të mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve”, duke u bërë thirrje të gjithë votuesve që të marrin pjesë në proces.
“U bëj thirrje gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave, dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ata si banorë të komunave të Republikës,” – deklaroi Kurti.
Procesi i votimit po zhvillohet në 18 komuna që janë në balotazh, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën, Gjilanin, Suharekën, Fushë Kosovën, Mitrovicën e Jugut, Rahovecin, Kaçanikun, Vitinë, Vushtrrinë, Obiliqin, Klinën, Dragashin, Junikun, Kllokotin dhe Mamusha-n.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar më herët se procesi i votimit ka nisur pa probleme në të gjitha qendrat e votimit.