
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një vale sulmesh masive nga Rusia ndaj infrastrukturës energjetike dhe zonave të banuara në Ukrainë.
Sipas autoriteteve ukrainase, mbi 450 dronë shpërthyes dhe 45 raketa u lëshuan gjatë natës, duke goditur 25 lokalitete, përfshirë Kievin, Dnipron dhe Zaporizhzhian, përcjell BBC.
Në Dnipro, një goditje në një pallat banimi shkaktoi dy viktima dhe 12 të plagosur, ndërsa tre persona u vranë në Zaporizhzhia.
Kryeministrja Yulia Svyrydenko njoftoi se objektet energjetike në Poltava, Kharkiv dhe Kiev janë dëmtuar rëndë, por po punohet për rikthimin e furnizimit me energji dhe ujë.
Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi ashpër, duke kërkuar intensifikim të sanksioneve ndaj sektorit energjetik rus: “Për çdo sulm rus ndaj infrastrukturës energjetike, duhet një përgjigje me sanksione ndaj gjithë energjisë ruse – pa përjashtim.”
Deklarata e tij vjen pas vendimit të SHBA për t’i dhënë Hungarisë një përjashtim njëvjeçar nga ndalimi i blerjes së naftës dhe gazit rus, gjatë vizitës së kryeministrit Viktor Orban në Uashington.
Ky përjashtim ka ngjallur shqetësime në Kiev, ku zyrtarët paralajmërojnë se të ardhurat nga energjia mund të përdoren për prodhimin e dronëve dhe raketave të reja.
Analistët paralajmërojnë se dimri i katërt i luftës do të jetë një provë e fortë për qëndrueshmërinë e Ukrainës, ndërsa sulmet ndaj rrjetit energjetik synojnë jo vetëm moralin e popullit, por edhe paralizimin ekonomik të vendit.