
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar qeverinë për abuzime me fondet publike në projektin e tunelit të Llogarasë, duke e cilësuar këtë vepër si “një aferë të thellë korruptive ku janë zhdukur dhjetëra milionë euro”.
Në një deklaratë publike, Këlliçi tha se “Rama dhe Balluku janë jo vetëm hajdutë serialë, por edhe prestigjatorë që kanë zhdukur dy ura panoramike të parashikuara në projektin e tunelit”. Sipas tij, në preventivin e ndërtimit ishin përfshirë edhe dy ura me kosto totale prej 25 milionë eurosh, të cilat në terren nuk janë ndërtuar.
“190 milionë euro për ndërtimin e tunelit, projekti i të cilit parashikonte dy ura panoramike në hyrje dhe dalje të tunelit që nuk ekzistojnë. Prestigjatori zhduku miliona euro dhe dy ura. Kemi të bëjmë me një aferë të thellë korruptive, jo vetëm me shkelje të barazisë në tendera,” deklaroi Këlliçi.
Deputeti demokrat theksoi gjithashtu se tuneli është një “ndërtim pa leje”, duke iu referuar lejes së ndërtimit të zbardhur më 28 maj 2025. Ai pretendon se procesi tenderues u fitua nga një ofertë 50 milionë euro më e lartë se sa të tjerat, dhe se më pas janë zhdukur edhe 25 milionë euro të tjera për ndërtimet që nuk u realizuan.
“Shteti është ndërtuesi më i madh pa leje. Rama dhe Balluku kanë vjedhur 190 milionë euro dhe kanë zhdukur dy ura. E gjitha kjo nën dritën e diellit dhe të SPAK-ut,” shtoi Këlliçi, duke njoftuar se Partia Demokratike do t’ia dërgojë dokumentet dhe faktet e mbledhura Prokurorisë së Posaçme.
Në përfundim, ai ironizoi kryeministrin Rama dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, duke thënë se “nuk do ta shohin dot dritën në fund të tunelit të Belës”.