
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka sqaruar publikisht se ligji për barazinë gjinore, i miratuar mbrëmjen e kaluar me 77 vota pro në Kuvend, nuk krijon gjini të reja dhe nuk kërcënon familjen tradicionale, siç pretendojnë kundërshtarët e tij.
“Ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrsesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua” – deklaroi Luarasi.
Ajo sqaroi se koncepti i “përkatësisë së shumëfishtë” nuk lidhet me identitete gjinore, por me forma të kombinuara diskriminimi, si në rastin e një gruaje rome apo me aftësi të kufizuara.
Po ashtu, mohoi pretendimet se ligji zëvendëson termat “nënë” dhe “baba” me “prind 1” dhe “prind 2”.
Luarasi theksoi se termi “gjuhë me ndjeshmëri gjinore” ka të bëjë me përdorimin korrekt të gjinisë në komunikimin institucional, si “ministre” apo “drejtore”, kur drejtuesja është grua.
Duke iu referuar vendeve evropiane që kanë kufizuar konceptin e gjinisë, Luarasi tha se ato janë nën hetim nga Komisioni Evropian për shkelje të parimeve të BE-së dhe nuk përbëjnë modele për t’u ndjekur.
“Ky ligj nuk është eksperiment social, por përmbushje e detyrimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare” – tha ajo, duke nënvizuar se ligji adreson probleme reale si dhuna ndaj grave, pabarazia në paga dhe përfaqësimi i ulët i grave në tregun e punës.
Në përfundim, Luarasi u shpreh se ata që përhapin dezinformim nuk do të mbahen mend si mbrojtës të familjes, por si pengues të progresit, ndërsa theksoi se Shqipëria që aspiron Bashkimin Evropian duhet të ndërtohet mbi drejtësi dhe dinjitet për të gjithë.