Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë kthen për rigjykim dosjen ndaj Domart Konjarit, të dënuarit në mungesë me 15 vite burg


Gjykata e Lartë ka vendosur që dosja penale ndaj Domart Konjarit, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, të rigjykohet në Apelin e Posaçëm, me një trupë të re gjykuese. Vendimi u mor një ditë më parë, duke prishur vendimin e mëparshëm të shkallës së dytë, me të cilin Konjari ishte dënuar në mungesë me 15 vite burg.

Më 7 tetor 2021, ai ishte shpallur fajtor me vendim të formës së prerë për disa akuza të rënda, përfshirë “krijim, organizim dhe drejtim të organizatës kriminale”, “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave” si dhe “korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas hetimeve të SPAK, Domart Konjari dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar trafiku droge, që operonte nga Amerika Latine drejt Europës, me qendër në Francë. Po ashtu, ai është i akuzuari kryesor për porositjen dhe organizimin e ekzekutimit të Devi Kasmit, ngjarje e ndodhur në Tiranë.

Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, çështja do të kthehet për rigjykim në Apelin e Posaçëm, ku pritet që procesi të rifillojë me një trup gjykues të ndryshëm nga ai që dha vendimin e mëparshëm.