
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër menaxhimin e buxhetit dhe mënyrën e qeverisjes nga mazhoranca, gjatë fjalës së saj në Kuvend.
Ajo e cilësoi buxhetin si një dokument pa vlerë, që ndryshohet sipas interesave dhe nuk respekton asnjë standard transparence.
“Një qeveri që kontrollon çdo kontratë dhe çdo tender është shembulli i procedurave të korruptuara. Buxheti është han pa porta, nuk ka vlerë asnjë proces buxhetor. Buxheti ndryshohet dhe s’ka vlerë” – deklaroi Tabaku.
Ajo theksoi se situata ekonomike e qytetarëve është e rënduar dhe nuk lidhet vetëm me raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit apo dosjet e SPAK, por me vendimet konkrete që miratohen në Kuvend.
Sipas saj, mekanizmat e brendshëm të qeverisë që SPAK i cilëson si korrupsion burojnë nga dosje që lidhen me zyrtarë të lartë si Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku.