
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar në Kuvend mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike nga qeveria, duke e krahasuar trajtimin e pensionistëve me shpenzimet për tunelin e Llogarasë, ku zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK.
“Këtu po dëgjonim për pensionistët që do iu jepej një lëmoshë 20 lekë në ditë dhe kush e di se çfarë po i bëni. Po u hiqni 9,600 lekë në vit shtesë dhe do u hiqni bonusin 10 mijë lekë në fund të vitit. Do jenë aty ku ishin” – deklaroi Tabaku.
Ajo theksoi se ndërkohë që pensionistët përballen me një trajtim simbolik, qeveria ka shpërndarë 50 milionë euro për tunelin e Llogarasë “me një të rënë të lapsit”, duke ngritur dyshime për abuzime me fondet publike dhe mungesë transparence në menaxhimin e projekteve strategjike.
Deklarata e saj vjen në një moment kur SPAK ka marrë të pandehur zyrtarë të lartë për çështjen e tunelit, ndërsa opozita kërkon hetim të thelluar parlamentar për këtë dhe çështje të tjera të ngjashme.