
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka publikuar në Kuvend detaje nga dosja e SPAK që përfshin zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe drejtorin Evis Berberi, duke akuzuar se tenderi i tunelit të Llogarasë është miratuar në mënyrë të paracaktuar, me ndërhyrje politike dhe jashtë çdo procedure transparente.
Shehaj lexoi mesazhe të zbardhura nga dosja hetimore, ku sipas tij, Balluku ka orientuar procesin e përzgjedhjes së fituesit në favor të një kompanie turke, duke skualifikuar ofertën më të ulët me justifikimin se “nuk plotëson kushtet”.
“Berberi i dërgon ofertat Ballukut në telefon. Janë 5 ofertues. 14 minuta më vonë, Balluku thotë: ‘Ky ka hyrë me një çmim skandal’. E ka fjalën për ofertën 10 milionë euro më të ulët. 15 minuta pas marrjes së ofertave, ajo vendos se nuk plotëson kushtet” – tha Shehaj.
Ai përmendi edhe komunikimin mes Ballukut dhe Berberit për të simuluar një proces vlerësimi:
“Po them ta lëmë 10 ditë, thotë Berberi, që të duket sikur po e mendojmë. Herën e parë e mbajtëm 15 ditë. Pastaj e lënë 9 ditë.”
Sipas Shehajt, vendimi për shpalljen e fituesit u mor vetëm pasi Balluku mori “lejen nga shefi”, që ai e identifikon si kryeministrin Edi Rama:
“Balluku i thotë: ‘prit t’i çoj fjalën atij shefit që kërcënon me SMS’. Pas disa orësh: ‘Ok, nxirre fituesin e tunelit’. Dhe ai e bën këtë gjë.”
Shehaj e cilësoi këtë si shembull të mënyrës se si jepen tenderat në Shqipëri, ku procedurat janë formale dhe vendimet merren përmes telefonit, në funksion të interesave të ngushta politike dhe klienteliste.