
Polonia do të nisë këtë muaj një program të ri trajnimi ushtarak për qytetarët, të quajtur “Gjithmonë të përgatitur” (Always Prepared), si pjesë e planit për të trajnuar 400 mijë persona deri në vitin 2026, njoftoi Ministria e Mbrojtjes për DW.
Ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, e cilësoi këtë si “trajnimin më të madh të mbrojtjes në historinë polake”, që do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët, nga nxënësit e shkollave fillore deri te pensionistët.
Polonia, e cila ndan rreth 530 kilometra kufi me Ukrainën, ka rritur ndjeshëm shpenzimet e saj ushtarake që prej pushtimit rus të Ukrainës. Vendi tashmë shpenzon më shumë për mbrojtjen si përqindje e PBB-së se çdo anëtar tjetër i NATO-s, duke u bërë forca e tretë më e madhe ushtarake e aleancës.
Vitin e ardhshëm, buxheti i mbrojtjes do të arrijë në rekordin prej 4.8% të PBB-së, theksoi ministri Kosiniak-Kamysz, duke paralajmëruar se “po jetojmë në kohët më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Sipas zëvendësministrit të Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, qeveria synon të trajnojë 100 mijë persona deri në fund të këtij viti.
Programi do të ofrojë kurse bazike sigurie, trajnim mbijetese, instruksione mjekësore dhe klasa për siguri kibernetike. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Wieslaw Kukula, tha se qëllimi është të rritet qëndrueshmëria e qytetarëve dhe komuniteteve dhe të forcohet gatishmëria dhe kapaciteti i rezervistëve ushtarakë.
Kosiniak-Kamysz kujtoi përvojën e Ukrainës, duke thënë se “kur shpërtheu lufta në vitin 2022, ukrainasit u zunë të papërgatitur. Ata i fituan këto aftësi gjatë viteve të luftës, por ne duhet të jemi gati për çdo skenar.”
Programi u prezantua fillimisht nga kryeministri Donald Tusk në mars, me qëllim krijimin e një “ushtrie rezervistësh” përballë rrezikut në rritje nga Rusia dhe tensioneve të shtuara ndaj anëtarëve të NATO-s, përfshirë Poloninë.
Aktualisht, ushtria polake ka 216 mijë trupa, një numër që pritet të rritet me një të tretën gjatë dekadës së ardhshme.