Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Kompleks” në Kuçovë: Arrestohen dy persona, sekuestrohen armë dhe lëndë narkotike



Policia e Kuçovës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Kompleks”, duke sekuestruar armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike të llojit kanabis. Si rezultat i operacionit, janë arrestuar dy shtetas të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëvedhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Berat.

Në pranga ranë:

  • K. K., 41 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Dimal, i cili kishte përshtatur lokalin e tij për shpërndarje dhe përdorim të lëndëve narkotike, si dhe mbante armë zjarri automatik;

  • K. Z., 27 vjeç, banues në fshatin Tapi, Kuçovë, që ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, por vazhdonte të mbante në banesë lëndë narkotike.

Gjatë kontrolleve në lokalin e 41-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi:

  • 1 armë zjarri automatik,

  • 30 fishekë luftarak,

  • një sasi lënde narkotike të llojit kanabis,

  • 1 peshore elektronike që shërbente për ndarjen e dozave.

Ndërsa në banesën e 27-vjeçarit u gjet dhe një sasi tjetër kanabisi, e gatshme për shitje.

Operacioni “Kompleks” u zhvillua në kuadër të kontrolleve të zgjeruara për identifikimin e autorëve të vendosjes së lëndës plasëse në një biznes një ditë më parë, si dhe për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme hetimore.