
Nancy Pelosi, një nga figurat më të fuqishme në historinë politike të SHBA-së, ka njoftuar se nuk do të rikandidojë për Kongresin në përfundim të mandatit të saj në janar 2027.
Lajmi u bë publik përmes një mesazhi video të publikuar të enjten, ku 85-vjeçarja demokratike nga Kalifornia konfirmoi largimin nga jeta parlamentare pas një karriere që ka zgjatur mbi tre dekada, përcjell BBC.
Pelosi ka hyrë në histori si gruaja e parë që ka mbajtur postin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, duke udhëhequr Partinë Demokratike në këtë dhomë nga viti 2003 deri në 2023.
Ajo ka qenë një figurë kyçe në miratimin e reformës shëndetësore të ish-presidentit Barack Obama dhe në avancimin e politikave për infrastrukturën dhe klimën gjatë presidencës së Joe Biden.
“Kemi bërë histori, kemi bërë përparim” – tha Pelosi në mesazhin e saj, duke shtuar: “San Francisko, dije fuqinë tënde.”
Gjatë viteve të saj në Kongres, Pelosi ka qenë një kundërshtare e fortë e Donald Trump, duke u bërë një simbol i rezistencës demokratike ndaj politikave të tij.
Ajo ka qenë gjithashtu një figurë polarizuese, shpesh e kritikuar nga republikanët si përfaqësuese e elitave bregdetare dhe e një platforme shpenzuese.
Tërheqja e saj shënon fundin e një epoke në politikën amerikane, ndërsa Partia Demokratike përgatitet për një tranzicion të ri drejt zgjedhjeve të vitit 2026.