Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet një punonjës policie në Durrës për korrupsion, i kërkoi qytetarit 60 mijë lekë për t’i zhbllokuar mjetin



Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie në Durrës, i dyshuar për korrupsion pasiv.

Sipas AMP-së, punonjësi i policisë G. H., me detyrë në Sektorin e Trafikut Urban dhe Interurban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, i kishte kërkuar një qytetari shumën prej 60 mijë lekësh të reja për t’i nxjerrë automjetin nga pika e bllokimit dhe për të mos i vendosur gjobë.

Arrestimi u krye pas hetimeve me metoda speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjatë operacionit u sekuestruan paratë e marra nga polici, të cilat ishin vendosur brenda një zarfi.

AMP ka publikuar edhe pamjet nga momenti i arrestimit dhe sekuestrimit të shumës monetare.

Ndaj punonjësit të policisë rëndon akuza për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me SPAK për të zbuluar nëse në këtë veprimtari korruptive mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje nga punonjësit e strukturave të rendit, përmes numrit të gjelbër 0800 9090 ose emailit ankesa@amp.gov.al.