Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhja e Mamdanit si simptomë e llastimit nga liria


 

Nga Enri Çeno

 

Në dy shekujt e fundit, bota ka përjetuar një përmbysje të jashtëzakonshme ekonomike dhe morale. Nga një realitet ku 85% e njerëzimit jetonte në varfëri ekstreme, sot vetëm një pakicë e vogël ndodhet ende në mjerim.

Kjo arritje nuk lindi nga plane qeveritare apo utopi ideologjike, por nga liria ekonomike — nga e drejta për të zotëruar, për të punuar, për të shkëmbyer dhe për të ëndërruar.

 Ky është fruti i rendit të lirë që mbrojtën ekonomistët e Shkollës Austriake: Carl Menger, Eugen Böhm-Bawerk, Ludwig von Mises dhe Friedrich A. Hayek.

Ata e kuptuan atë që Karl Marx nuk mundi kurrë ta shohë: njeriu nuk është një mjet në shërbim të “planit kolektiv”, por një qenie me dinjitet e vetëdije, që merr vendime bazuar në njohuritë e tij lokale dhe në nevojat e përditshme.

Vetëm përmes çmimeve, pronës private dhe tregut të lirë, shoqëria mund të koordinojë miliarda vendime individuale në mënyrë paqësore e produktive.

Siç shkroi Mises, pa çmime nuk ka llogari, pa llogari nuk ka racionalitet, e pa racionalitet nuk ka ekonomi — vetëm kaos, varfëri dhe arbitraritet shtetëror.

Hayek e thelloi këtë me “problemin e dijes”: askush, sado i ditur apo i ndershëm të jetë, nuk mund të grumbullojë njohuritë që shpërndahen natyrshëm nëpër miliona individë. Vetëm renditja spontane e tregut i bashkon këto njohuri, duke u bërë burimi më i fuqishëm i progresit njerëzor.

Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për “drejtësi ekonomike” përmes centralizimit përfundon në shtypje: sepse drejtësia e imponuar është maskë për pushtet politik.

Megjithatë, sot shohim një rikthim të rrezikshëm të këtyre iluzioneve të vjetra. Zgjedhja e një marksisti si Zohran Mamdani në krye të Bashkisë së New York-ut është simptomë e një sëmundjeje më të thellë: harresa e asaj që e bëri Perëndimin të begatë.

Në zemrën e një prej qyteteve më kapitaliste të botës, ngjitet në pushtet një përfaqësues i një ideologjie që historikisht ka shkatërruar çdo ekonomi ku është zbatuar. Kjo nuk është thjesht një çështje politike, por një krizë e kujtesës morale.

Në vend që të mësojmë nga historia, shoqëria perëndimore po e rishkruan atë. Në vend të lavdërimit të sipërmarrjes, po glorifikohet barazia e imponuar.

Në vend të përgjegjësisë, po shpërblehet varësia. Universitetet, mediat dhe tashmë edhe qytetet më të mëdha, po përqafojnë një romantizëm të rrezikshëm të majtë, që e sheh kapitalizmin si armik, e shtetin si shpëtimtar.

Por, siç paralajmëroi Hayek, rruga drejt “barazisë totale” është gjithmonë Rruga drejt Skllavërisë.

Nëse Perëndimi ka arritur të ngrejë miliona njerëz mbi varfërinë, kjo ndodhi jo falë planifikimit qendror, por falë lirisë për të dështuar e për të provuar sërish. Çdo fabrikë, çdo ndërmarrje, çdo shpikje, është një histori individuale guximi dhe përgjegjësie. Pikërisht këto vlera — merita, puna, prona dhe liria — janë ato që ideologjia marksiste i përbuz, por që civilizimi perëndimor nuk mund të mbijetojë pa to.

Zgjedhja e Mamdanit është një paralajmërim: kur njerëzit harrojnë çmimin e lirisë, ata fillojnë ta dorëzojnë atë në duar të ideologëve që premtojnë shpëtim. Por nuk ka shpëtim përmes centralizimit. Ka vetëm nënshtrim, korrupsion dhe shkatërrim të asaj që ndërtuan brezat para nesh.

Në fund të fundit, asnjë sistem nuk mund të zëvendësojë energjinë morale të individit të lirë. Tregu nuk është thjesht ekonomi — është pasqyra e shpirtit njerëzor që zgjedh të jetë përgjegjës për fatin e vet.

Nëse duam ta ruajmë qytetërimin perëndimor, duhet të rikthejmë besimin në atë që funksionon: tregun e lirë, njeriun e lirë dhe moralin e lirisë. Sepse çdo herë që e harrojmë këtë, historia na e kujton me dhimbje — dhe me vonesë.