
Në Samitin e Zgjerimit të BE-së të organizuar nga Euronews në Bruksel, udhëheqës evropianë i kërkuan Hungarisë të heqë veton ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Europian, përcjell Euronews.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, paralajmëroi vendet anëtare dhe ato kandidate se duhet të marrin vendime të guximshme për zgjerimin, përndryshe rrezikojnë të “mbeten të bllokuara nga trashëgimitë e dhimbshme historike”.
“Partnerët e anëtarësimit duhet të vendosin nëse kanë vullnetin të ecin përpara me transformimin e tyre drejt Bashkimit Europian, apo nëse preferojnë të mbeten të burgosur të së kaluarës,” tha Costa gjatë fjalës së tij në Bruksel.
Fjalimi i tij përkoi me publikimin e raportit më të fundit të Komisionit Europian për procesin e zgjerimit, ndërsa Costa theksoi se “BE-ja nuk mund të përballojë më humbje kohe” dhe duhet të përshtatet me realitetet e reja gjeopolitike.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili mori pjesë në samit përmes video-lidhjes, dënoi vendimin e Budapestit për të bllokuar hapjen e kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit të Ukrainës.
“Gjatë kësaj lufte, ne nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga Viktor Orbán. Bllokimi i Ukrainës në BE është mbështetje specifike e tij për Putinin — dhe kjo nuk është aspak e mirë,” tha Zelenskyy.
Ai shtoi se Ukraina “po mbron gjithë Evropën nga Rusia” dhe se Hungaria duhet të tregojë solidaritet, ose të paktën të mos pengojë procesin e anëtarësimit.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjithashtu kritikoi veton hungareze, duke e quajtur “të padrejtë”.
“Hungaria dha dritën jeshile për statusin kandidat të Ukrainës dhe për fillimin e negociatave, dhe tani po i bllokon ato. Kjo nuk është e drejtë,” tha Kos.
Ajo shtoi se është koha që Europa të “dorëzojë rezultate konkrete” për vendet që po bëjnë reforma nën bombardime.
“Jam plot admirim për atë që po arrijnë ukrainasit, ndërsa mbi ta bien bombat. Por tani është radha jonë të veprojmë,” theksoi ajo, duke shtuar se “reformat duhet të vazhdojnë, pavarësisht debatit politik — ata nuk kanë nevojë për Orbanin për t’i bërë ato.”
Ndërkohë, Komisioni Europian dhe Këshilli po shqyrtojnë mënyra për të kapërcyer veton hungareze dhe për të lejuar vazhdimin e procesit të anëtarësimit të Ukrainës.