
Një aeroplan mallrash i kompanisë UPS u rrëzua të martën pasdite në Louisville, Kentucky, duke shpërthyer në flakë pak pas ngritjes dhe duke shkaktuar të paktën 7 viktima dhe 11 të plagosur, njoftoi guvernatori i shtetit, Andy Beshear për DW.
“Lajme të rënda nga Louisville sonte, ndërsa numri i viktimave ka arritur të paktën në shtatë, me pritshmëri që të rritet,” shkroi Beshear në platformën X. “Shërbimet e emergjencës janë në terren, po punojnë për të shuar zjarrin dhe për të hetuar shkaqet e aksidentit.”
Guvernatori shtoi se janë vendosur mjete për monitorimin e ajrit për të siguruar që banorët në zonë të jenë të mbrojtur nga ndotja dhe tymi.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni u rrëzua rreth orës 17:15 me orën lokale (22:15 GMT), pak minuta pasi ishte ngritur nga aeroporti “Louisville Muhammad Ali International”. Aeroplani ishte nisur drejt Honolulu-t, në Hawaii.
Pamjet e transmetuara nga rrjeti lokal WLKY treguan se njëri krah i avionit ishte përfshirë nga flakët gjatë ngritjes, ndërsa më pas ai u përplas në tokë duke krijuar një shpërthim masiv. Disa ndërtesa në një zonë industriale përtej pistës u përfshinë gjithashtu nga zjarri, ndërsa re tymi të dendur ishin të dukshme nga kilometra larg.
Pas aksidentit, autoritetet e Louisville Metro Emergency Services shpallën një urdhër qëndrimi në shtëpi për të gjitha vendndodhjet brenda një rrezeje prej 8 kilometrash nga aeroporti.
Kompania UPS konfirmoi se Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA (NTSB) ka nisur një hetim të plotëpër të përcaktuar shkaqet e rrëzimit.