
Qeveria nigeriane ka refuzuar të mërkurën vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta përfshirë Nigerinë në listën e “vendeve të veçanta të shqetësimit” për shkelje të lirisë fetare, duke e cilësuar këtë vlerësim si të bazuar në “keqinformim dhe të dhëna të pasakta”, përcjell DW.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten se Nigeria do të renditej në këtë kategori për shkak të “vrasjeve të të krishterëve nga islamistët radikalë”. Ai paralajmëroi më pas se po përgatitej për një ndërhyrje të mundshme të shpejtë ushtarake nëse Nigeria nuk do të vepronte kundër dhunës fetare — një deklaratë që ka tensionuar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
“Pretendimet se në Nigeri ka persekutim sistematik fetar janë të pabazuara,” tha sekretari i përhershëm i Ministrisë së Jashtme, Dunoma Umar Ahmed, në një takim me diplomatët e huaj në Abuja. “Shteti po zhvillon një fushatë të gjerë kundër terrorizmit që synon të mbrojë qytetarët e të gjitha feve,” shtoi ai, duke e quajtur retorikën amerikane “nënvlerësuese” dhe duke bërë thirrje për “dialog e bashkëpunim mes shteteve sovrane”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm Yusuf Tuggar, gjatë një vizite në Berlin, mbrojti angazhimin e Nigerisë për lirinë fetare, duke kundërshtuar pretendimet e Trump për intolerancë.
Edhe ministri i Informacionit, Mohammed Idris, e cilësoi kërcënimin e Trump për ndërhyrje ushtarake si “të pajustifikuar dhe të bazuar në një kuptim të gabuar të realitetit nigerian”.
“Shteti nigerian ka marrë masa të rëndësishme kundër dhunës dhe ekstremizmit. Çdo pretendim se nuk veprojmë ndaj sulmeve fetare është i bazuar në të dhëna të pasakta,” tha ai.
Sipas Idris, që prej marrjes së detyrës në maj 2023, qeveria e presidentit Bola Tinubu ka arritur përparime të ndjeshme në luftën kundër terrorizmit dhe është e hapur për bashkëpunim me SHBA dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për “eliminimin e plotë të terrorizmit në tokën nigeriane”.
Terrorizmi, theksoi ai, prek si të krishterë ashtu edhe myslimanë, dhe Nigeria mbetet e angazhuar për ta luftuar përmes forcës ushtarake, bashkëpunimit rajonal dhe dialogut ndërkombëtar.
Sipas Kombeve të Bashkuara, kryengritja islamiste në verilindje të vendit, e udhëhequr nga Boko Haram dhe grupet e lidhura me Shtetin Islamik, ka shkaktuar mbi 40 mijë viktima dhe ka zhvendosur rreth dy milionë persona.
Përveç kësaj, vendi përballet me bandat kriminale në veriperëndim që kryejnë rrëmbime dhe sulme ndaj fshatrave.
Nigeria, me mbi 200 grupe etnike që ndjekin kryesisht krishterimin ose islamin, ka një histori bashkëjetese, por edhe përplasje të herëpashershme të nxitura nga tensione etnike dhe lufta për burime.
Përplasjet mes barinjve myslimanë Fulani dhe fermerëve të krishterë në pjesën qendrore të vendit, sipas ekspertëve, lidhen më shumë me mungesën e tokës dhe burimeve sesa me ndasitë fetare.