Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Para se të premtojë rritje, Rama të kthejë paratë e mbajtura nga pensionistët


Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama për rritjen e pensioneve duke nisur nga 1 janari 2026.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta e cilëson këtë premtim si të paplotë dhe kërkon që qeveria të kompensojë më parë pensionistët për mungesën e indeksimit të plotë të pensioneve në raport me inflacionin real.

“Tunelet dhe aferat e korrupsionit që kanë shpërthyer prej kohësh po e detyrojnë Kryeministrin të ‘kthejë sytë’ nga pensionistët. Por, përpara se të premtojë rritje pensionesh, Edi Rama duhet t’u kthejë pensionistëve atë që u takon me të drejtë: çdo pensionisti në qytet 1164 euro në vit dhe çdo pensionisti në fshat 482 euro në vit.”

Meta argumenton se këto janë fonde që, sipas tij, u janë mbajtur pensionistëve çdo vit për shkak të mosindeksimit të plotë të pensioneve dhe mungesës së rritjes së merituar në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në vend që të shkonin tek ata që kanë punuar gjithë jetën dhe aq shumë kanë sakrifikuar për ndërtimin e vendit, këto para janë derdhur në ‘korrupsionin gjeopolitik’, në projekte dhe afera që nuk kanë asgjë të përbashkët me mirëqenien e qytetarëve të thjeshtë, veçanërisht të pensionistëve” – shkruan Meta.

Sipas parashikimeve të qeverisë, deri në vitin 2029 pensioni mesatar urban për ata me vite të plota pune do të arrijë në 40,000 lekë (rreth 400 euro), nga 27,350 lekë që është aktualisht.

Pensioni urban i pjesshëm do të rritet në 22,000 lekë, pensioni rural në 18,000 lekë, pensioni familjar nga 11,400 në 18,000 lekë, ndërsa pensioni i invaliditetit do të shkojë nga 20,000 në 30,000 lekë.