
Grupi Hamas njoftoi të mërkurën në mbrëmje se ka gjetur trupin e një pengu tjetër izraelit gjatë kërkimeve në lagjen Shijaiyah të qytetit të Gazës.
Sipas njoftimit, mbetjet pritet të dorëzohen rreth orës 21:00 me orën lokale dhe të kalojnë nëpërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për t’u dërguar në Izrael, ku do të identifikohen nga Qendra Kombëtare e Mjekësisë Ligjore në Tel Aviv, përcjell Ynet.
Ky zhvillim vjen një ditë pas dorëzimit të trupit të ushtarit izraelit, rreshterit Itay Chen, pjesëtar i Brigadës së 7-të të blinduar të IDF-së. Chen u vra gjatë luftimeve të ashpra më 7 tetor në zonën kufitare të Gazës dhe trupi i tij u kthye në Izrael të martën me nderime të plota ushtarake, i shoqëruar nga një rabin ushtarak.
Zyra e Kryeministrit të Izraelit konfirmoi më vonë identifikimin e trupit të tij.
Babai i ushtarit, Ruby Chen – një ndër zërat më aktivë në fushatën për kthimin e pengjeve izraelite – shkroi në platformën X: “Dita 760. Itay është kthyer në shtëpi.”
Chen shërbente në “Ekipin Perez” të Batalionit 77 dhe luftoi me ekuipazhin e tij të tankut mëngjesin e 7 tetorit, kur qindra militantë të Hamasit hynë në territorin izraelit.
Nga katër anëtarët e ekuipazhit, komandanti kapiten Daniel Perez u varros muajin e kaluar, gjuajtësi Matan Angrest mbijetoi dhe u lirua muajin e kaluar, ndërsa trupi i Chen u kthye të martën. Anëtari i katërt, rreshteri Tomer Leibovitz, u vra gjatë betejës.
Në një postim të mëngjesit të së mërkurës, Angrest shkroi: “S’e kam ndalur së menduari për ty. Më në fund je kthyer, vëllai im.”