
Friedrich Merz deklaroi se sirianët nuk kanë më arsye për t’u strehuar politikisht në Gjermani, pasi lufta civile 14-vjeçare në Siri ka përfunduar. Ai tha se refugjatët do të inkurajohen të kthehen në atdhe për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të tyre.
“Nuk ka më baza për azil në Gjermani, ndaj mund të fillojmë me riatdhesimet,” u shpreh Merz të martën mbrëma, duke shtuar se ata që refuzojnë të kthehen mund të përballen me deportim në të ardhmen e afërt, përcjell Guardian.
Gjatë luftës siriane, Gjermania pranoi më shumë refugjatë se çdo vend tjetër në BE — mbi 1 milion sirianë. Por pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad rreth 11 muaj më parë, qeveria gjermane po rishikon politikat e azilit.
Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, pas një vizite në Damask, shprehu dyshime se shumë sirianë do të pranonin të ktheheshin, duke përmendur shkatërrimet dhe pasigurinë që ende mbizotëron në vend. Këto deklarata janë parë si në kundërshtim me qëndrimin e Merzit dhe kanë shkaktuar përplasje brenda CDU-së.
Ndërkohë, ekspertët theksojnë se riatdhesimi masiv i sirianëve mund të ndikojë negativisht në Gjermani, ku shumë prej tyre janë integruar me sukses, kanë mësuar gjuhën dhe punojnë në sektorë thelbësorë si shëndetësia — ku punojnë mbi 7 mijë mjekë sirianë.
Nga rreth 1.3 milion sirianë që jetojnë në Gjermani, një pjesë kanë marrë shtetësinë, ndërsa shumica zotërojnë leje të përkohshme qëndrimi. Vetëm 1,000 persona janë kthyer në Siri me ndihmë shtetërore në gjysmën e parë të këtij viti.
Çështja e azilit ka marrë rëndësi të re politike përpara zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, ku partia e ekstremit të djathtë AfD po rrit ndikimin e saj. Tensionet janë shtuar edhe pas arrestimit në Berlin të një 22-vjeçari sirian, i dyshuar për planifikimin e një sulmi vetëvrasës.
Merz ka ftuar presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, për bisedime në Berlin mbi deportimin e sirianëve me precedent penal, një çështje që ka ndezur debat të gjerë në Gjermani.