Vendosni fjalën kyçe....

Forcat ruse shtrëngojnë kontrollin mbi qytetin strategjik të Pokrovskut


Forcat ruse duket se po forcojnë kontrollin mbi Pokrovskun, teksa përleshje të ashpra rrugësh po zhvillohen në qytetin e shkatërruar të Ukrainës lindore, ndërkohë që Kremlini ka njoftuar planet për të shqyrtuar rifillimin e testeve bërthamore, një lëvizje që vjen si përgjigje ndaj deklaratave të Donald Trump se SHBA mund të rifillojë testet e tilla.

Shtabi i përgjithshëm ukrainas hodhi poshtë pretendimet ruse se trupat e Kievit ishin rrethuar, duke thënë se po punohet për forcimin e krahëve rreth Pokrovskut dhe qytetit fqinj Myrnohrad.

Një ditë më parë, presidenti Volodymyr Zelenskyy kishte vizituar trupat rreth 20 kilometra në veri të Pokrovskut, ku u shprehu mirënjohje për qëndresën e tyre.

Burimet ushtarake në të dyja anët japin versione të ndryshme të situatës, por analistët ukrainas paralajmërojnë përkeqësim të dukshëm të gjendjes, me hartat e betejës që tregojnë se forcat ruse janë vetëm disa kilometra larg nga një rrethim i plotë i trupave ukrainase, përcjell The Guardian.

Ndërkohë, presidenti Vladimir Putin u kërkoi zyrtarëve të lartë të përgatisin propozime për rifillimin e mundshëm të testeve bërthamore.

Ai tha se Rusia ka respektuar gjithmonë Traktatin për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Testeve Bërthamore, por paralajmëroi se nëse SHBA ose ndonjë fuqi tjetër bërthamore kryen një test, Moska do të bëjë të njëjtën gjë.

Në javët e fundit, Rusia ka testuar dy armë të reja të fuqishme — raketën me energji bërthamore Burevestnik, të njohur si “Çernobili fluturues”, dhe dronin nëndetar Poseidon. Të dyja janë të afta të mbajnë koka bërthamore, por testet e kryera nuk kanë përfshirë shpërthime bërthamore.

Një test i tillë do të ishte i pari për Rusinë post-sovjetike dhe do të shënonte një thyerje të madhe në ndalimin ndërkombëtar të testimeve që daton që nga vitet 1990.

Përparimet e fundit në fushëbetejë duket se i kanë dhënë Putinit besim të ri. Rusia ka kaluar më shumë se një vit duke luftuar për Pokrovskun, një qendër strategjike logjistike që shihet si porta hyrëse për në Donetsk  dhe ka pësuar humbje të rënda.

Para luftës, qyteti kishte rreth 50 mijë banorë dhe ndodhet përgjatë një autostrade të rëndësishme që lidh mbrojtjen e fundit ukrainase në rajon.

Sipas projektit ukrainas DeepState, që ndjek vijën e frontit përmes imazheve të verifikuara satelitore, trupat ruse kanë avancuar më tej në Pokrovsk dhe në periferi të tij, megjithëse një pjesë e madhe e qytetit mbetet zonë e kontestuar.

Në përditësimin e mbrëmjes, projekti theksoi: “Situata mbetet kritike.”

Ushtari ukrainas Artem Karyakin shkroi në rrjetin X se trupat ruse janë “të pranishme në çdo lagje të qytetit”, ndërsa theksoi se luftimet vazhdojnë dhe kontrolli i plotë rus ende nuk është arritur.

Përpjekjet e ushtrisë ukrainase për të ndryshuar rrjedhën e betejës përfshijnë dërgimin e forcave speciale në qytet.

 Njësia Tymur publikoi pamje të operacioneve në terren, me zbarkime helikopterësh nën zjarr dhe përleshje të ashpra urbane. Megjithatë, ofensiva nuk ka arritur ta përmbysë situatën.

Disa analistë perëndimorë e kanë kritikuar strategjinë e Kievit për të mbrojtur me çdo kusht qytetin, duke paralajmëruar se kjo mund të kthehet në një përsëritje të betejave të humbura më parë, si ato të Vuhledarit dhe Kurskut.

Sipas gazetës Ukrainska Pravda, disa brigada në Pokrovsk kanë raportuar gabimisht pozicionet e tyre, duke vështirësuar menaxhimin e situatës në terren.

Në të njëjtën kohë, ushtria ukrainase po përballet me mungesa serioze në personel dhe furnizime, ndërsa Rusia po përdor bomba të reja ajrore me shtytje reaktive që mund të godasin objektiva shumë larg vijës së frontit, një zhvillim që e ka dobësuar më tej mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Kievi shpreson që, edhe nëse Pokrovsku bie, Moska të mos arrijë ta përdorë si pikënisje për një ofensivë të re drejt Kramatorskut dhe Slovianskut, dy qytetet më të mëdha nën kontrollin e Ukrainës në Donetsk.

Megjithëse forcat ruse po avancojnë, përparimi mbetet i ngadaltë dhe me kosto të larta, ndërsa luftimet janë intensifikuar edhe në Kupiansk, në rajonin e Kharkivit.

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur kontaktet diplomatike mes Rusisë dhe SHBA-së për luftën në Ukrainë janë pothuajse ndërprerë. Gjatë një takimi në Korenë e Jugut me presidentin kinez Xi Jinping, Donald Trump tha: “Ndonjëherë duhet t’i lësh të luftojnë.”

Administrata e tij vendosi së fundmi sanksione të reja ndaj dy prodhuesve më të mëdhenj të naftës në Rusi, që kanë goditur të ardhurat energjetike të vendit, por Trump ende refuzon t’i dërgojë Ukrainës armë me rreze të gjatë veprimi, si raketat Tomahawk, duke mbajtur një qëndrim më të rezervuar ndaj përfshirjes direkte të SHBA-së në konflikt.