Vendosni fjalën kyçe....

Të armatosur dhe me makinë të blinduar me targa ruse, arrestohen dy të rinj në Durrës


Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy shtetas, Elidon Daçi, 28 vjeç, dhe Ernest Beqiri, 29 vjeç, pasi u kapën duke qarkulluar me një automjet të blinduar me targa ruse, të dyshuara si të falsifikuara, dhe të armatosur me armë zjarri.

Operacioni policor i koduar “Blindi” u finalizua pas administrimit të një informacioni të siguruar në rrugë operative, që çoi në ndalimin e automjetit të dyshuar dhe kontrollin e tij nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës.

“Qarkullonin me automjet të blinduar dhe të armatosur, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me krehër me fishekë, automjeti i blinduar, një targë ruse e falsifikuar, një shumë parash dhe 3 celularë” – thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Sipas autoriteteve, Elidon Daçi u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa Ernest Beqiri për “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar kriminale.