Vendosni fjalën kyçe....

BE vlerëson progresin e Shqipërisë në raportin e vitit 2025: Rezultate konkrete kundër korrupsionit, por mbetet klimë e polarizuar politike


Komisioni Evropian publikoi sot Progres Raportin për Shqipërinë për vitin 2025, duke vlerësuar përparimet e dukshme të vendit në procesin e negociatave të anëtarësimit dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa evidenton sfida të vazhdueshme në funksionimin e institucioneve demokratike dhe klimën politike të tensionuar.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e prezantoi raportin në Komisionin për Punë të Jashtme, duke theksuar se “viti 2025 ishte një vit i mirë për vendet kandidate. Progres shumë domethënës është bërë nga Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Kjo tregon se reformat shpërblehen gjithmonë. Zgjerimi i suksesshëm është një mundësi reale për vitet në vijim”.

Ajo nënvizoi se Shqipëria ka arritur një progres të paprecedentë që prej vitit 2024 dhe ka justifikuar ambicien për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.

 

Përparime në negociata dhe luftën kundër korrupsionit

Në raport theksohet se Shqipëria ka ruajtur një angazhim të fortë politik ndaj objektivit strategjik të integrimit evropian dhe është përafruar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, duke u cilësuar si partner i besueshëm.

Një ndër vlerësimet më pozitive lidhet me luftën kundër korrupsionit.

Sipas raportit, “Shqipëria ka një nivel përgatitjeje ndërmjet mesatar dhe të mirë dhe ka bërë disa përparime në funksionimin e sistemit gjyqësor. SPAK ka forcuar rezultatet e tij pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ka bërë përparime të dukshme drejt krijimit të një rekordi të qëndrueshëm në këtë fushë”. Megjithatë, korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në sektorë të ndjeshëm, duke ndikuar në sferën publike dhe atë private.

 

Klimë politike e polarizuar dhe nevoja për reformë zgjedhore

Raporti e përshkruan klimën politike në Shqipëri si të tensionuar dhe polarizuar, duke theksuar se “parlamenti funksionon vetëm pjesërisht në mënyrë efektive për shkak të mungesës së dialogut të sinqertë ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, gjë që ka kufizuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj ekzekutivit”. Po ashtu, Komisioni Evropian nënvizon se emërimet politike në poste të pavarura dhe institucione kushtetuese mbeten problem serioz.

Sa i përket zgjedhjeve të 11 majit 2025, raporti vlerëson se ato ishin “konkurruese dhe të administruara profesionalisht”, por vëren mangësi si mungesë e kushteve të barabarta dhe abuzim me burimet publike.

Komisioni i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin një reformë të plotë zgjedhore për të adresuar rekomandimet ende të pazbatuara të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

 

Vlerësime për ekonominë dhe sfida në prokurimet publike

Në aspektin ekonomik, raporti evidenton se ekonomia shqiptare ka ruajtur një ritëm të fortë rritjeje gjatë vitit 2024, falë kërkesës së brendshme dhe turizmit. “Inflacioni ra nën objektivin e bankës qendrore, konsolidimi fiskal u përshpejtua dhe raporti i borxhit publik vazhdoi të bjerë,” theksohet në dokument. Megjithatë, të ardhurat qeveritare mbeten të ulëta në raport me PBB-në, ndërsa shpenzimet për investimet publike janë nën-ekzekutuara.

Prokurimet publike vazhdojnë të mbeten një pikë e ndjeshme, ku Shqipëria vlerësohet si mesatarisht e përgatitur dhe me përparim të kufizuar, ndërsa BE kërkon përmirësim të sistemit të rikuperimit të aseteve dhe masa kundër krimit mjedisor.

Në përfundim, Komisioni Evropian e cilëson raportin për Shqipërinë si një moment pozitiv në procesin e negociatave, duke theksuar rezultatet konkrete në fusha kyçe si drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit, por edhe nevojën për përmirësim të dialogut politik, reformës zgjedhore dhe forcimit të institucioneve demokratike.

“Zgjerimi i Bashkimit Evropian është një objektiv realist për vitet që vijnë dhe Shqipëria po ecën në këtë rrugë me hapa të qartë dhe të qëndrueshëm,” përmbyllet në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025.