
Ish-këshilltarja e lartë ligjore e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneralmajor Yifat Tomer-Yerushalmi, është arrestuar, ndërsa kriza politike në Izrael thellohet pas publikimit të një videoje që tregon, sipas raportimeve, dhunë të rëndë ndaj një të burgosuri palestinez nga ushtarë izraelitë.
Tomer-Yerushalmi dha dorëheqjen javën e kaluar nga posti i saj si Avokate e Përgjithshme Ushtarake e IDF-së, duke pranuar përgjegjësinë për rrjedhjen e videos.
Të dielën, situata mori një kthesë dramatike, pasi ajo u raportua si e zhdukur, duke shkaktuar një operacion kërkimi disaorësh në një plazh në veri të Tel Avivit.
Më vonë, policia njoftoi se ajo u gjet “shëndoshë e mirë”, por u mor menjëherë në paraburgim, pëtcjell BBC.
Videoja, e transmetuar fillimisht në gusht 2024 nga një kanal izraelit, tregonte rezervistë të bazës ushtarake Sde Teiman në Negev, të cilët, sipas raportit, kishin rrethuar një të burgosur palestinez me mburoja për ta fshehur nga kamerat, ndërsa ai dhunohej fizikisht dhe seksualisht me një objekt të mprehtë.
I ndaluari u trajtua më pas për lëndime të rënda. Pesë rezervistë u akuzuan për dhunë të rëndë dhe plagosje serioze, por i mohuan akuzat.
Në një konferencë shtypi jashtë Gjykatës së Lartë në Jerusalem, katër nga të akuzuarit, me fytyrat e mbuluara me maska të zeza, kërkuan ndërprerjen e procesit gjyqësor.
Avokati i tyre, Adi Keidar, nga organizata e djathtë “Honenu”, tha se ata ishin viktima të “një procesi të gabuar, të njëanshëm dhe plotësisht të fabrikuar”.
Sipas hetimeve, i burgosuri që shfaqet në video ishte liruar në tetor 2024 si pjesë e një shkëmbimi mes Izraelit dhe Hamasit për të burgosur dhe pengje të mbajtura që nga 7 tetori 2023.
Pas publikimit të videos, Tomer-Yerushalmi u pezullua përkohësisht nga detyra ndërsa nisi një hetim penal.
Më 31 tetor, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se ajo nuk do të lejohej të kthehej në detyrë. Menjëherë pas kësaj, ajo dha dorëheqjen.
Në letrën e dorëheqjes, ajo shkroi: “Marr përgjegjësinë e plotë për çdo material që është publikuar nga njësia ime. Miratova publikimin për të kundërshtuar propagandën e rreme kundër autoriteteve ligjore të ushtrisë.”
Ajo shtoi: “Është detyra jonë të hetojmë çdoherë kur ka dyshime të arsyeshme për akte dhune ndaj një të ndaluari.”
Por ministri Katz reagoi ashpër: “Kushdo që përhap shpifje gjaku kundër trupave të IDF-së është i padenjë të mbajë uniformën e ushtrisë.”
Kryeministri Benjamin Netanyahu, duke mbështetur ministrin e tij, e quajti incidentin në Sde Teiman “ndoshta sulmin më të rëndë të imazhit publik që shteti i Izraelit ka përjetuar që nga themelimi i tij.”
Menjëherë pas këtyre deklaratave, mediat izraelite raportuan zhdukjen e gjeneralmajores, duke nxitur frikën se skandali po kthehej në tragjedi. Pas kërkimeve disaorëshe, policia e gjeti atë në zonën bregdetare të Herzliyas.
Gjatë natës, policia njoftoi arrestimin e dy personave nën dyshimin për “rrjedhje informacioni dhe vepra të tjera të rënda penale”. Mediat izraelite raportuan se të arrestuarit ishin vetë gjeneralmajorja Tomer-Yerushalmi dhe ish-prokurori ushtarak, koloneli Matan Solomosh.
Skandali i Sde Teiman ka thelluar ndarjet e mëdha mes së majtës dhe së djathtës në Izrael.
Për të djathtën, publikimi i videos përbën “një shpifje kundër ushtrisë dhe një akt tradhtie”, ndërsa për të majtën, veprimi i Tomer-Yerushalmi shihet si “e vetmja herë që ajo përmbushi me ndershmëri detyrën e saj.”
Raporti i një komisioni të Kombeve të Bashkuara në tetor 2024 kishte akuzuar Izraelin për “abuzime sistematike dhe të përhapura ndaj mijëra të ndaluarve nga Gaza, përfshirë dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale që përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Qeveria izraelite e ka mohuar kategorikisht raportin, duke thënë se është “plotësisht e përkushtuar ndaj standardeve ligjore ndërkombëtare” dhe se ka zhvilluar “hetimet e nevojshme për çdo rast individual.”