
Grabitja e bujshme në mes të ditës në Muzeun e Luvrit është kryer nga hajdutë të zakonshëm dhe jo nga profesionistë të botës së krimit të organizuar, ka deklaruar prokurorja e Parisit, Laure Beccuau. Ajo tha se dy nga të dyshuarit janë një çift me fëmijë, përcjell Guardian.
Deklarata e saj vjen dy javë pas ngjarjes së ndodhur jashtë muzeut më të vizituar në botë, ku grabitësit parkuan një kamion të vjedhur, përdorën një ashensor mobil për të arritur në katin e parë dhe më pas thyen xhamat e një prej dhomave më luksoze të muzeut. Brenda më pak se shtatë minutash, ata u larguan me motorë, duke marrë me vete stoli mbretërore me vlerë rreth 88 milionë euro.
Mes bizhuterive të vjedhura janë një gjerdan smeraldi e diamanti, dhuratë nga Napoleoni I për bashkëshorten e tij të dytë Marie Louise, dhe një diademë e zbukuruar me 212 perla dhe gati 2 mijë diamante që i përkiste Eugénie-s, bashkëshortes së Napoleonit III. Deri më tani, thesaret nuk janë gjetur.
Sipas Beccuau, një nga autorët vazhdon të jetë në arrati, ndërsa katër persona janë vënë nën akuzë. Hetimet treguan se hajdutët kanë qenë amatorë, pasi gjatë arratisjes kanë rrëzuar kurorën e perandoreshës Eugénie – sendin më të çmuar të grabitjes – dhe kanë lënë pas mjete që mund të përmbajnë gjurmë ADN-je.
Prokurorja theksoi se të arrestuarit janë banorë të zonës Seine-Saint-Denis, një departament në veri të Parisit, i njohur për nivel të lartë varfërie. Një grua 38-vjeçare dhe një burrë 37-vjeçar janë akuzuar për vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal, pasi ADN-ja e tyre është gjetur në ashensorin e përdorur gjatë grabitjes. Çifti, që ka fëmijë, i ka mohuar akuzat.
Dy persona të tjerë – një 34-vjeçar algjerian që jeton në Francë që nga viti 2010 dhe një 39-vjeçar me precedentë penalë – janë arrestuar disa ditë më vonë dhe kanë pranuar pjesërisht përfshirjen në grabitje.
Tre persona të tjerë të ndaluar më 29 tetor janë liruar pa akuza.
Beccuau tha se hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e bashkëpunëtorëve të tjerë. Ajo shtoi se autoritetet po ndjekin çdo pistë për të gjetur bizhuteritë, duke hetuar edhe tregjet e zeza ku ato mund të shiten apo të përdoren për pastrim parash.