
Një vit pas përmbytjeve shkatërruese që lanë pas 229 viktima në rajonin lindor të Valencias, presidenti rajonal Carlos Mazón ka dhënë dorëheqjen, i detyruar nga presioni publik dhe politik për mënyrën e dështuar me të cilën e menaxhoi krizën.
Mazón, anëtar i Partisë Popullore (PP), kishte refuzuar për muaj të tërë të largohej nga posti, edhe pasi doli në dritë se gjatë orëve kur përmbytjet po merrnin jetë njerëzish, ai kishte kaluar mbi tre orë në një drekë me një gazetare, ndërsa banorë të tërë po mbyteshin në shtëpi, makina e garazhe, përcjell The Guardian.
Refuzimi i tij për të dhënë dorëheqjen shkaktoi protesta masive në të gjithë Valencian, me qytetarët që mbanin parulla me sloganin: “Balta në duart tona; gjaku në duart e tij.”
Një sondazh i fundit tregonte se 75% e qytetarëve kërkonin largimin e tij.
Të hënën, Mazón më në fund njoftoi dorëheqjen: “Nuk mund të vazhdoj më,” deklaroi ai për gazetarët pas një fjalimi ku akuzoi qeverinë qendrore për reagimin e saj ndaj krizës. Ai nuk sqaroi nëse do të thërrasë zgjedhje të parakohshme, as nëse do të heqë dorë nga mandati në Asamblenë Rajonale, çka do t’i hiqte imunitetin parlamentar, dhe as se kush do ta zëvendësojë përkohësisht.
Mazón më parë kishte mbrojtur veten duke thënë se “nuk ka qeveri në botë që mund të ndalojë apo shmangë reshje kaq ekstreme sa ato që thyen rekorde historike.”
Ai këmbënguli se gjatë drekës kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me telefon për të ndjekur situatën.
Por zemërimi ndaj tij u shpërtheu sërish javën e kaluar, gjatë ceremonisë shtetërore përkujtimore për viktimat, ku Mazón u prit me thirrjet “vrasës”, “frikacak” dhe “duhet të ishe në burg.”
Një komision parlamentar hetimor dhe një gjykatë në Valencia po hetojnë ngjarjet e 29 tetorit 2024, për të përcaktuar nëse ekzistojnë prova për vrasje dhe lëndime nga pakujdesia, që mund të kenë shkaktuar vdekje të shmangshme.
Gazetarja Maribel Vilaplana, me të cilën Mazón ishte në drekë, ka deklaruar se takimi nisi rreth orës 15:00 dhe zgjati deri në 18:30, por se ajo “nuk ishte e vetëdijshme për seriozitetin e situatës” dhe se presidenti “nuk shfaqi asnjë shqetësim.”
Sipas të dhënave zyrtare, Mazón mbërriti në Qendrën e Koordinimit Operacional (Cecopi) vetëm në orën 20:28, gati 20 minuta pas dërgimit të alarmit emergjent në telefonat e qytetarëve – shumë vonë për shumicën e viktimave.
Gjyqtarja që drejton hetimin, Nuria Ruiz Tobarra, e ka përshkruar katastrofën si “një episod dantesk, një ferr i vërtetë i shkatërrimit, vdekjes dhe errësirës,” duke shtuar se ekziston “provë dërrmuese për sjellje të pakujdesshme.”
Ajo theksoi se kishte një “vonesë të qartë dhe të papranueshme” në thirrjen e mbledhjes së Cecopi dhe në dërgimin e paralajmërimeve emergjente.
Ndërkohë, ish-ministrja rajonale e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, Salomé Pradas, e cila po hetohet gjithashtu, pranoi në gjykatë se nuk kishte “asnjë përvojë me emergjencat” përpara se të merrte detyrën tre muaj para përmbytjeve.
Zbulimet e fundit treguan gjithashtu se zëvendëspresidentja e Mazónit, Susana Camarero, kishte lënë një mbledhje të Cecopi për të marrë pjesë në një ceremoni çmimesh në të njëjtën pasdite të tragjedisë.
Një vit pas katastrofës që tronditi Spanjën, dorëheqja e Carlos Mazón-it shënon kulmin e një krize politike që la gjurmë të thella në Valencian e përmbytur.