Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta aktorja Diane Ladd, tre herë e nominuar për Oscar



Aktorja e njohur amerikane Diane Ladd, e nominuar tre herë për çmimin Oscar dhe e njohur për rolet në filma si Wild at Heart dhe Alice Doesn’t Live Here Anymore, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, përcjell BBC.

Lajmin e trishtë e konfirmoi vajza e saj, aktorja Laura Dern, e cila tha se e ëma ndërroi jetë të hënën në shtëpinë e tyre në Kaliforni.

“Heroina ime e jashtëzakonshme dhe dhurata më e madhe e jetës sime, nëna ime Diane Ladd, u nda nga jeta me mua pranë saj këtë mëngjes,” – shkroi Dern, duke shtuar se momentet e fundit të saj ishin të qeta.
“Ajo ishte vajza, nëna, gjyshja, aktorja, artistja dhe shpirti më empatik që vetëm një ëndërr mund ta krijonte. Ne ishim me fat që e kishim.”

Ladd u bë e njohur për publikun me rolin e saj si kameriere në filmin e Martin Scorsese Alice Doesn’t Live Here Anymore(1974), që i solli nominimin e parë për Oscar.
Më pas ajo luajti në dhjetëra filma e seriale televizive, përfshirë Wild at Heart, Rambling Rose dhe Gigi & Nate në vitin 2022.

Ajo ishte nëna e aktores Laura Dern, me të cilën ndau shpesh ekranin, përfshirë në filmin Rambling Rose (1991) – ku të dyja u nominuan për Oscar, duke u bërë çifti i parë nënë-bijë që arrinte një arritje të tillë.

Diane Ladd ishte e martuar me aktorin Bruce Dern nga viti 1960 deri në 1969. Çifti pati dy fëmijë, përfshirë aktoren Laura Dern, ndërsa vajza e tyre e parë, Diane Elizabeth, humbi jetën tragjikisht në një aksident në moshën 18 muajshe.

Në vitin 2023, Ladd dhe vajza e saj publikuan librin e përbashkët Honey, Baby, Mine: A Mother and Daughter Talk Life, Death, Love, ku rrëfyen marrëdhënien e tyre të ngushtë dhe reflektimet mbi jetën dhe artin.