Vendosni fjalën kyçe....

Irani: Do t’i rindërtojmë objektet bërthamore me forcë edhe më të madhe



Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, deklaroi të dielën se Teherani do të rindërtojë objektet e veta bërthamore “me forcë edhe më të madhe”, pas paralajmërimeve të Shteteve të Bashkuara për sulme të reja ndaj tyre.

Duke folur për mediat shtetërore gjatë një vizite në Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit, Pezeshkian tha se vendi i tij nuk synon prodhimin e armëve bërthamore, por do të vazhdojë zhvillimin e programit për qëllime civile, përcjell REL.

“Shkatërrimi i ndërtesave dhe fabrikave nuk do të na ndalë; ne do t’i rindërtojmë ato dhe me forcë edhe më të madhe,” u shpreh presidenti iranian, duke nënvizuar vendosmërinë e qeverisë për të mos u tërhequr përballë presionit amerikan.

Komentet e tij vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA-ja do të urdhërojë sulme të reja ndaj objekteve bërthamore iraniane, nëse Teherani përpiqet t’i rikthejë në funksion impiantet që Uashingtoni bombardoi në muajin qershor.

Sipas administratës amerikane, ato objekte ishin pjesë e një programi të fshehtë për zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa Teherani këmbëngul se programi ka qëllime plotësisht civile, të lidhura me kërkimin shkencor dhe shëndetin publik.

“Gjithçka është e menduar për zgjidhjen e problemeve të popullit, për sëmundjet dhe shëndetin e njerëzve,” tha Pezeshkian, duke mbrojtur politikat bërthamore të Iranit.