Vendosni fjalën kyçe....

AMP arreston ish-gardistin dhe një shtetas tjetër për ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka ekzekutuar sot, më 3 nëntor 2025, masat e sigurisë ndaj një ish-oficeri të Gardës së Republikës dhe një shtetasi tjetër, të dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Sipas njoftimit zyrtar, ndaj ish-gardistit Z. M., me gradën komisar në kohën e kryerjes së veprës penale, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa ndaj shtetasit K. D., banues në Tiranë dhe i shpallur në kërkim, është vendosur masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

“Gjatë veprimeve hetimore, proceduriale shteruese në drejtimin e SPAK u arrit të provohej se këta dy shtetas, në role të ndryshme gjatë kryerjes së veprës penale, në këmbim të shumës prej 20 mijë euro, i kanë premtuar një shtetaseje (kallëzueses) se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave dhe veprimeve juridike në një institucion shtetëror” – thuhet në njoftimin e AMP.

Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.