Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon Nigerinë lidhur me trajtimin e të krishterëve


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të shtunën se i ka kërkuar Departamentit të Luftës të përgatitet për veprim të mundshëm ushtarak “të shpejtë” në Nigeri nëse kombi i Afrikës Perëndimore nuk merr masa ndaj vrasjes së të krishterëve.

Qeveria e SHBA-së gjithashtu do ndalojë menjëherë të gjithë ndihmën dhe asistencën për Nigerinë, kombi më i populluar i Afrikës dhe prodhuesi kryesor i naftës, tha Trump në një postim në Truth Social.

Nëse Shtetet e Bashkuara dërgojnë forca ushtarake, ato do hyjnë “me armë në duar për të zhdukur plotësisht terroristët islamikë që po kryejnë këto mizori të tmerrshme,” shkroi Trump, pa dhënë asnjë specifikë rreth trajtimit të të krishterëve në Nigeri.

Trump e quajti Nigerinë një “vend të diskredituar” dhe paralajmëroi se qeveria e saj duhet të veprojë shpejt.

“Nëse sulmojmë, do jetë e shpejtë, e egër , ashtu siç sulmojnë banditët terroristë të krishterët tanë  dashur!” shkroi ai.

Abuja nuk pati reagim të menjëhershëm ndaj kërcënimit të Trumpit për veprim ushtarak. Shtëpia e Bardhë gjithashtu nuk dha asnjë koment të menjëhershëm mbi kohën e mundshme të ndonjë veprimi ushtarak të SHBA-së.

Reagimi i Nigerisë

Përpara se Trump të postonte kërcënimin e tij për sulm, presidenti nigerian Bola Ahmed Tinubu më herët të shtunën refuzoi pretendimet për intolerancë fetare dhe mbrojti përpjekjet e vendit të tij për të mbrojtur lirinë fetare, shkruan Reuters.

“Karakterizimi i Nigerisë si fetarisht intolerante nuk pasqyron realitetin tonë kombëtar, as nuk merr parasysh përpjekjet e vazhdueshme dhe të sinqerta të qeverisë për të ruajtur lirinë e fesë dhe besimeve për të gjithë nigerianët,” tha Tinubu në një deklaratë, duke cituar “garancitë kushtetuese për të mbrojtur qytetarët e të gjitha besimeve.”

Ministria e Jashtme e Nigerisë, në një deklaratë të veçantë, u zotua të vazhdojë luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe tha se shpresonte që Uashingtoni do mbetej një aleat i ngushtë, duke thënë se do “vijojë të mbrojë të gjithë qytetarët, pavarësisht nga raca, besimi apo feja. Ashtu si Amerika, Nigeria nuk ka zgjidhje tjetër veçse të kremtojë shumëllojshmërinë që është forca jonë më e madhe.”