Vendosni fjalën kyçe....

Fshati i Linit shpallet Ansambël Arkitektonik, merr status të posaçëm mbrojtjeje



Fshati turistik i Linit, një nga destinacionet më të veçanta përgjatë bregut të Liqenit të Pogradecit, tashmë do të mbrohet me status të posaçëm ligjor. Të gjitha banesat e tij janë shpallur Ansambël Arkitektonik, duke siguruar mbrojtje të plotë për trashëgiminë historike dhe kulturore të zonës.

Ky status i ri vjen si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e vlerave të fshatit, i cili deri më tani ka qenë pjesë e Zonës së Mbrojtur të UNESCO-s dhe i mbrojtur nga legjislacioni vendas. Shumica e banesave në Lin datojnë nga shekujt XVIII-XIX dhe janë ndërtuar me gur, duke ruajtur elemente unike të arkitekturës tradicionale që e dallojnë nga fshatrat e tjerë përreth liqenit.

Falë këtij vendimi, pritet që të nxisen projekte të reja zhvillimi turistik, veçanërisht në zonat ku janë zbuluar objekte arkeologjike me vlera të rralla, të cilat do të pasurojnë më tej ofertën kulturore dhe turistike të Pogradecit.