Vendosni fjalën kyçe....

Del në ankand tualeti prej ari krejtësisht funksional


Tualeti i artistit konceptual Maurizio Cattelan, me titull “America,” besohet të jetë zhdukur përgjithmonë pas një vjedhjeje të guximshme në vitin 2019. Por një version i dytë, i krijuar në të njëjtin vit me origjinalin, është shfaqur papritur në tregun e artit.

Ai mund të jetë tualeti më i famshëm…ose më famëkeq…në botë: froni prej ari të pastër 18-karatësh, 100 kg, i krijuar nga artisti Maurizio Cattelan, i cili tërhoqi rreth 100,000 vizitorë kur u ekspozua për herë të parë në banjën e Muzeut Guggenheim të Nju Jorkut në vitin 2016.

Tre vjet më vonë, hajdutët, të armatosur me çekiçë, e vodhën atë në një grabitje të guximshme prej pesë minutash nga Blenheim Palace, vendlindja historike e Winston Churchill në fshatin anglez. Megjithëse autorët u dënuan më herët këtë vit, tualeti plotësisht funksional dhe luksoz, i titulluar “America”, nuk u gjet kurrë, dhe besohet se është prerë ose shkrirë për vlerën e vetë arit, me vlerë miliona dollarë.

Cattelan ka deklaruar më parë se kishte bërë më shumë se një edicion të “America”, dhe tani një edicion i dytë po bën një debutim të papritur dhe të bujshëm në tregun e artit muajin e ardhshëm.

Sotheby’s në Nju Jork do shesë veprën, e cila ka qenë në duart private dhe anonime që nga viti 2017, më 18 nëntor. Kjo gjithashtu do të thotë se skulptura do kthehet në shikim publik për një kohë të kufizuar, kur shtëpia e ankandeve ta instalojë atë në banjën e katit të katërt të selisë së saj krejt të re për 10 ditë para shitjes. Kësaj radhe, megjithatë, vizitorët nuk do të mund ta përdorin atë, sipas Sotheby’s. Zyrtarisht kjo është për arsye sigurie.