
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar një takim me banorët e rrugës “Konferenca e Pezës” në Kombinat, duke denoncuar gjendjen e rënduar të zonës dhe mungesën e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse.
Salianji tha se banorët janë të lënë në harresë prej nëntë vitesh dhe jetojnë mes mbeturinave, erës së rëndë dhe një grope të madhe që rrezikon jetën e tyre.
“Kjo është Tirana reale, jo ajo që shfaqet në reklamat e pushtetit,” u shpreh ai.
Ai akuzoi bashkinë dhe qeverinë për propagandë fasadash dhe premtime të pambajtura, duke theksuar se qytetarët kërkojnë zgjidhje reale, siguri dhe dinjitet.
Salianji u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin kandidatin e pavarur Florjan Binaj, të mbështetur nga opozita, si alternativë për ndryshim në kryeqytet.
Postimi i Salianjit
Banorët e rrugës “Konferenca e Pezës” në Kombinat janë dëshmitarë prej 9 vitesh të papërgjegjshmërisë së Edi Ramës dhe bashkisë së tij!
Çdo ditë shohin propagandën e fasadës, ndërsa jetojnë mes mbeturinave, erës së rëndë dhe një grope të madhe që është rrezik për jetën e qindra banorëve. Pavarësisht ankesave të vazhdueshme asnje zgjidhje!
Kjo është Tirana reale, jo ajo që shfaqet në reklamat e pushtetit!
Banorët kërkojnë zgjidhje, siguri dhe dinjitet, jo mashtrime e foto me bojë mbi rrënoja.
Me #Florian Binaj