Vendosni fjalën kyçe....

“Nanotyrannus” nuk ishte T. rex i mitur”- Zbulimi i ri përmbys bindjet shkencore


Një fosil legjendar, i vendosur në Muzeun e Shkencave Natyrore të Karolinës së Veriut në Raleigh, paraqet skelete që duken si të përfshirë në një betejë prehistorike një takim epik mes dy prej dinosaurëve më të njohur në botë: Triceratops dhe Tyrannosaurus rex. Ose të paktën, kështu mendohej deri tani nga paleontologët.

Studiuesit që kanë kaluar pesë vitet e fundit duke analizuar këtë koleksion mahnitës të eshtrave, të njohur si “dinosaurët duelues”, thonë se kanë zbuluar një rast të identitetit të gabuar. Ata kanë përcaktuar se dinosauri me trup më të vogël nuk ishte një T. rex i mitur, por në fakt një shembull i rritur plotësisht i një specieje të debatueshme të quajtur Nanotyrannus lancensis.

“Ne kemi të dhënat e rritjes të ruajtura në mikrostrukturën e kockës, gjë që tregon se është një i rritur”, tha James Napoli, një paleontolog vertebrorësh në Universitetin Stony Brook dhe bashkautor i studimit të ri të botuar të enjten në revistën Nature. “Zbulimi ka nxitur një rishikim të shumë fosileve të tjera të identifikuara më parë si mbetje adoleshente të T. rex”, shtoi Napoli.

Një tufë Nanotyrannus sulmon me paturpësi një T. rex të mitur në këtë ilustrim

Edhe pse të ngjashëm në pamje, dy llojet kishin dallime të mëdha: Nanotyrannus ishte 18 metra i gjatë, i shkathët dhe i ndërtuar për shpejtësi, me këmbë të gjata dhe krahë të fortë për të kapur prenë, ndërsa T. rex, 12 metra i gjatë, kishte këmbë të fuqishme dhe përdorte kafshimin e tij shkatërrues për të sulmuar dinosaurë më të mëdhenj e më të ngadaltë.

Pavarësisht madhësisë më të vogël, Napoli shton se Nanotyrannus kishte gjymtyrë të sipërme më të mëdha se një T. rex i rritur plotësisht, i cili njihet për krahët e tij të vegjël. “Kockat nuk tkurren ndërsa kafshët rriten, prandaj ky nuk mund të jetë bërë kurrë një T. rex,” shpjegon ai.

Ky zbulim, sipas Lindsay Zanno, bashkautore e studimit dhe drejtuese e paleontologjisë në Muzeun e Karolinës së Veriut, “rrëzon përmbys dekada të tëra kërkimesh mbi T. rex”.

Këto studime duhet të rivlerësohen në dritën e këtij zbulimi”, tha Zanno në një email.

Fosili i “dinosaurëve në duel” u zbulua për herë të parë në vitin 2006, i ekspozuar si shkëmb sedimentar nga Formacioni Hell Creek, që daton 65.5 milion vjet më parë dhe shtrihet në pjesë të Montanës, Dakotës së Veriut, Dakotës së Jugut dhe Wyomingut.

Identitet i gabuar

Nanotyrannus lancensis, ashtu si T. rex, bën pjesë në familjen tiranosauride në klasifikimin taksonomik. Ai u identifikua për herë të parë në vitet 1940, nga një fosil i zbuluar në të njëjtin formacion shkëmbor si “dinosaurët duelues”.

Megjithatë, më vonë shkencëtarët e ndryshuan interpretimin, duke e konsideruar atë dhe shumë fosile të tjera të vogla tiranozaurësh si ekzemplarë të rinj të T. rex. Ideja se mund të ekzistonte një specie tjetër nuk u pranua gjerësisht, edhe pse diskutimet mbi këtë mundësi vijuan për dekada në konferenca dhe forume shkencore.

Hulumtimi i ri, i cili shqyrtoi dhe krahasoi mbi 200 fosile tiranozaurësh, sugjeron se fosilet e T. rex të mitur janë shumë më të rralla se sa besohej. Për vite me radhë, shumë paleontologë i kanë identifikuar gabimisht fosilet e Nanotyrannus si mbetje të T. rex të rinj, dhe i kanë përdorur këto të dhëna për të modeluar rritjen dhe sjelljen e këtij gjigandi prehistorik.

“Ajo që është emocionuese është se ky zbulim hap derën për një sërë pyetjesh të reja rreth mënyrës se si këta grabitqarë të ndryshëm – njëri i ndërtuar për forcë brutale dhe tjetri i ndërtuar për shpejtësi – bashkëvepruan në muzgun e dinosaurëve”, tha Zanno.

Lindsay Zanno, drejtuese e paleontologjisë në Muzeun e Shkencave Natyrore të Karolinës së Veriut, pozon me fosilin e famshëm të dinosaurëve në duel

Autorët e studimit thanë se kishin identifikuar gjithashtu një fosil të quajtur “Jane” si një specie e dytë e Nanotyrannus , të cilën e quajtën Nanotyrannus lethaeus. Emri është një referencë për lumin Lethe, lumin e harresës në mitologjinë greke, një shenjë se si ky dinosaur mbeti i fshehur në sy të publikut dhe i “harruar” për dekada të tëra.

Pyetje të pakëndshme 

Zbulimi ngre pyetje “të pakëndshme” për komunitetin shkencor, rreth faktit se pse u krijua kaq shpejt një konsensus se të gjitha ekzemplarët e Nanotyrannus ishin thjesht T. rex të rinj. Kështu shprehet Larry Witmer, profesor i Paleontologjisë Chang Ying-Chien në Universitetin e Ohajos, i cili nuk ka marrë pjesë në studim.

Shumë fosile të T. rex, të cilat mund të shiten për dhjetëra miliona dollarë në ankand, janë mbledhur në mënyrë komerciale dhe ndodhen në duar private, gjë që e bën të vështirë studimin e tyre, vuri në dukje Witmer në një koment të botuar së bashku me hulumtimin.

“Ky studim, i realizuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Zanno dhe Napoli, e vendos Nanotyrannusin mbi një themel të fortë,” tha ai.

Sipas Witmer, implikimet e këtij zbulimi shkojnë shumë përtej zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje shkencore.
“Këtu ka shumë më tepër në lojë sesa thjesht të shpallësh një fitues në debat,” theksoi ai. “Sepse kemi fjalë për fjalë dekada kërkimesh dhe ndoshta qindra studime të bazuara në një premisë që ky artikull tani e përmbys. Të gjitha këto analiza do të kenë nevojë për rishikim.”

Kockat e gishtërinjve dhe kthetrat e Nanotyrannus janë më të mëdha se ato të T. rex me trupin më të madh, i cili famëkeqisht kishte krahë dhe duar të shkurtra për madhësinë e tij

Steve Brusatte, një profesor i paleontologjisë në Universitetin e Edinburgut, tha se zbulimi duhet të nxisë “një rivlerësim themelor të klasifikimit dhe evolucionit të tiranozaurëve”.

“Për shumë vite në kërkimin tim mbi tiranozaurët, kam konsideruar një sërë skeletesh më të vegjël të gjetur në të njëjtat shkëmbinj si skeletet e famshme të T. rexe-ve të mëdhenj si të mitur të T. rex dhe jo si një specie më e vogël dalluese”, shpjegoi Brusatte, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e ri.

Ndërsa T. rex dhe Nanotyrannus të mitur duken të ngjashëm në të dhënat fosile, ato ishin dy specie të ndara, zbulon studimi i ri

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e CNN 

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha