Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli thotë se mbetjet e tre trupave të sjellë nga Gaza nuk i përkasin pengjeve


Testet mjeko-ligjore të kryera në Institutin e Mjekësisë Ligjore “Abu Kabir” në Tel Aviv kanë përcaktuar se mbetjet e tre trupave të transferuara nga Gaza nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar nuk i përkasin asnjërit prej pengjeve izraelite që ende mbahen në Rripin e Gazës, dhe nuk janë trupa të asnjë pengu izraelit, përcjell Ynet.

Kryqi i Kuq kishte njoftuar të premten se kishte “lehtësuar, me kërkesë dhe me miratimin e palëve, kthimin e mbetjeve të tre trupave në Izrael.”

Një zyrtar izraelit konfirmoi të shtunën në mëngjes se, sipas hetimeve, “ne kemi përjashtuar mundësinë që mbetjet e kthyera mbrëmë të kenë lidhje me ndonjë peng izraelit.

Ai shtoi se incidenti “nuk përbën shkelje në vetvete, pasi që në fillim u vlerësua se mbetjet nuk kishin gjasa të ishin të pengjeve.

Megjithatë, sipas tij, Hamas duhet të dërgojë çdo gjetje për verifikim, duke shtuar se “pavarësisht kësaj, Hamas vazhdon të shkelë detyrimin e tij themelor duke refuzuar të kthejë trupat e robërve të vrarë.

Banorë të Këshillit Rajonal të Eshkolit u mblodhën të premten në kryqëzimin Gama, pranë kufirit me Gazën, për të pritur kortezhin që transportonte mbetjet drejt territorit izraelit.

Në një deklaratë për shtyp, Kryqi i Kuq theksoi se identifikimi i trupave është përgjegjësi e autoriteteve izraelite, ndërsa organizata “nuk luan asnjë rol në lokalizimin e mbetjeve.” Po sipas saj, “sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, përgjegjësia për gjetjen, mbledhjen dhe kthimin e trupave u takon palëve ndërluftuese.

Më herët, të enjten, kibuci Nir Oz kishte konfirmuar se një nga trupat e kthyer më herët në javë ishte Amiram Cooper, pengu i fundit i këtij kibuci, ndërsa Zyra e Kryeministrit të Izraelit njoftoi pak minuta më vonë se trupi i dytë i përkiste Sahar Baruch.

Hamas kishte pretenduar më parë se kishte gjetur trupat e Cooper dhe Baruch në Gaza, por kishte refuzuar t’i kthente për shkak të sulmeve ajrore izraelite në Rafah, ku u vra ushtari rezervist Efi Feldbaum.

Zyrtarë izraelitë besojnë se Hamas po vonon me qëllim procesin e kthimit të trupave, duke i përdorur ato si monedhë shkëmbimi në negociatat e ardhshme.

Sipas tyre, grupi militant synon të forcojë kontrollin e tij në Gaza dhe të shtyjë çdo përpjekje për çmilitarizimin e territorit, ndërsa pritet të shfrytëzojë trupat si mjet presioni në bisedimet me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, për të përmirësuar pozicionin e tij në diskutimet për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës pas luftës.