
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka komentuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 zhvillimet e fundit politike, duke u fokusuar tek gara për Bashkinë e Tiranës. Opozita ka vendosur të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj, përballë kandidaturës së Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu.
Vokshi theksoi se sondazhet e fundit dhe veprimet e opozitës tregojnë dallimin e qartë mes saj dhe mazhorancës.
“Bazohem te sondazhet e fundit dhe ajo që ne si opozitë kemi bërë tregon qartësisht dallimin mes nesh dhe mazhorancës. PS ka një kandidate që ka pasur çështje për tendera, për sterilizimin dhe abuzime të tjera, siç është Ogerta Manastirliu. Ajo është thjesht një gur tjetër në piramidën e pushtetit të Edi Ramës,” tha Vokshi.
Deputetja demokrate theksoi se Edi Rama po tenton të mbajë Bashkinë e Tiranës si “pronë personale”, ndërsa opozita, ndryshe nga pushteti, ka zgjedhur të dëgjojë zërin e qytetarëve.
“Ne i dhamë rëndësi asaj që kërkonin qytetarët. Kishim plot figura politike, por njerëzit donin një njeri të tyre, një figurë që bashkon. Florjan Binaj po bën një fushatë fantastike. Jo vetëm që është i ndershëm, por si arkitekt ka edhe vizionin për t’i dhënë Tiranës pak frymëmarrje,” u shpreh ajo.
Vokshi shtoi se sondazhet tregojnë një garë të ngushtë mes dy kandidatëve, madje në disa matje Binaj rezulton më i favorizuar.
“Sondazhet dëshmojnë që janë aty-aty, në mos Binaj është më mirë,” – përfundoi Vokshi.