
Këshilltari juridik i Presidentit të Republikës, Ilir Rusmajli, ka mbrojtur me forcë dekretin e kreut të shtetit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar atë si një akt plotësisht kushtetues.
Gjatë një seance ku u diskutua legjitimiteti i dekretit, Rusmajli kritikoi qasjen e Gjykatës Kushtetuese, duke shprehur rezerva për kompetencën e saj në shqyrtimin e akteve administrative të presidentit.
Ai paralajmëroi se një interpretim i zgjeruar i kompetencave të gjykatës mund të çojë në rrëshqitje institucionale.
“Dekreti i presidentit ka qenë kushtetues dhe ngelet i tillë edhe sot, për shkak se Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese që janë ende në fuqi e bënin dekretin të tillë,” deklaroi Rusmajli.
Ai shtoi se shqyrtimi i dekretit nga Gjykata Kushtetuese përbën një precedent të rrezikshëm, që mund të hapë rrugë për ndërhyrje në akte të tjera administrative si legalizime, leje ndërtimi apo autorizime strehimi. Sipas tij, kjo do ta nxirrte gjykatën jashtë funksionit të saj kushtetues.
“Ju që i lejuat vetes të drejtën për të shqyrtuar një akt administrativ keni gjetur edhe mekanizmat mbrojtës nga kjo rrëshqitje. Por fakt është që në fund të ditës do të jeni të detyruar të merrni një vendim në raport me dekretin,” tha Rusmajli.
Debati mbi dekretin për zgjedhjet në Tiranë ka ndezur diskutime të forta mes institucioneve, ndërsa pritet që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim që mund të ndikojë jo vetëm në procesin zgjedhor, por edhe në balancat institucionale mes pushteteve.