
Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare, pas disa javësh trajtimi në një spital privat në Tiranë për shkak të komplikacioneve respiratore. Pas 24 ditësh në reanimacion, ai pësoi arrest kardiak dhe më pas vdekje klinike të trurit.
Lajmi i ndarjes nga jeta të një prej figurave më me ndikim të politikës shqiptare ka sjellë reagime të shumta nga e majta, e djathta dhe personalitete të rajonit.
Reagimi i parë erdhi nga kryeministri Edi Rama, i cili postoi një foto të Nanos me mbishkrimin “Lamtumirë kryetar”, një homazh i shkurtër por domethënës për njeriun që udhëhoqi Partinë Socialiste nga viti 1991 deri në 2005.
Deputeti Erion Braçe shkroi se “u shua njeriu që ribëri të majtën shqiptare”, ndërsa Taulant Balla e cilësoi Nanon si “udhëheqësin e parë të PS që modernizoi Shqipërinë duke modernizuar partinë”. Ai shtoi se Nano do të kujtohet për kontributin vendimtar në ruajtjen e gravitetit kombëtar të PS-së.
Edhe ish-deputeti i PS-së Alket Hyseni e përshkroi Nanon si një lider liberal, të lexuar dhe të qetë në përballje, që nuk humbi kurrë sharmin dhe frymën qytetare.
“Nano ishte njeriu që besoi se Shqipëria mund të kishte parti dhe shoqëri realisht demokratike, kauz për të cilën punoi dhe kontribuoi përmbi 30 vite,” shkruan Hyseni.
Presidenti Bajram Begaj vlerësoi rolin e Nanos si “lider liberal dhe reformator”, duke theksuar se ai do të mbahet mend për politikat e tij reformiste dhe europianiste gjatë viteve të tranzicionit.
Në të njëjtën linjë, kryeparlamentari Niko Peleshi e quajti Nanon “arkitektin e transformimit historik për të majtën shqiptare” dhe “politikanin modern që solli frymën e vërtetë europiane në jetën publike”.
Ulsi Manja e përshkroi si “ndarjen mes dy botëve, aty ku mbaroi frika e komunizmit dhe nisi debati për demokracinë”, ndërsa Bamir Topi, ish-presidenti i Republikës, kujtoi Nanon si një “politikan liberal, komunikues modern dhe të hapur ndaj kompromisit”.
Reagime ngushëllimi erdhën edhe nga e djathta. Deputeti demokrat Tritan Shehu e cilësoi ndarjen e Nanos si “humbje për familjen socialiste dhe për politikën shqiptare”, ndërsa Ervin Salianji theksoi se ai “krijoi një parti moderne të majtë, lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj”.
Nga rajoni, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, e kujtoi Nanon si “njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë”. Ndërsa ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e përshkroi si “kontribuues kyç të çështjes shqiptare në kohë krize, brenda dhe jashtë kufijve”.
Fatos Nano do të mbahet mend si themeluesi dhe kryetari i parë i Partisë Socialiste, i cili udhëhoqi tranzicionin e së majtës nga trashëgimia e Partisë së Punës drejt një force moderne europiane.
Ai shërbeu katër herë si kryeministër i Shqipërisë dhe u cilësua nga bashkëkohësit si një politikan me vizion, humor dhe kulturë të lartë politike, që ndihmoi në krijimin e një debati të ri demokratik në vend.