
Policia e Shtetit ka shpallur hapjen e aplikimeve për konkurrim për pozicionet e “Drejtorit të Departamentit” dhe “Drejtorit Vendor të Policisë”, në kuadër të procesit të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj në strukturat e saj.
Njoftimi bazohet në ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, që rregullojnë kriteret dhe procedurat e konkurrimit për postet drejtuese në institucion.
Sipas njoftimit zyrtar, janë shpallur pozicionet:
Drejtor Departamenti në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin;
Drejtor Departamenti në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare;
Drejtor Vendor i Policisë në Drejtorinë Vendore Elbasan, për shkak të dorëheqjes nga detyra të drejtuesit aktual;
Drejtor Vendor i Policisë në Drejtorinë Vendore Shkodër, pas shkarkimit të drejtorit të mëparshëm më 10 korrik 2025.
Procesi i aplikimit do të jetë i hapur nga 3 nëntori 2025, ora 08:00, deri më 11 nëntor 2025, ora 16:00.
Në njoftim theksohet se qëllimi i këtij procesi është të sigurojë një përzgjedhje transparente, objektive dhe profesionale, që nxit konkurrencën e drejtë dhe promovon punonjësit me aftësi drejtuese, rezultate të larta dhe integritet të lartë profesional e moral.
Policia e Shtetit fton të gjithë punonjësit që mbajnë gradat e rolit të mesëm drejtues të aplikojnë për këto pozicione, duke garantuar një proces vlerësimi të drejtë dhe të pavarur.