Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Belinda Ballukut


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas marrjes të pandehur nga SPAK të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, duke kërkuar dorëheqjen e saj të menjëhershme.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se “nga sot, Shqipëria ka një zëvendëskryeministre të pandehur dhe një tjetër në kërkim ndërkombëtar”, duke e cilësuar këtë si “fotografinë reale të një qeverie që fshihet pas propagandës, ndërsa korrupsioni ka zëvendësuar meritën, ligjin dhe përgjegjësinë”.

Sipas saj, tenderi i tunelit të Llogarasë, i denoncuar nga Gazment Bardhi më shumë se një vit më parë, është “vetëm maja e ajsbergut”, pas së cilës qëndron një zinxhir aferash që shtrihet nga aeroporti i Vlorës deri te blerjet e energjisë.

Tabaku deklaron se një zëvendëskryeministre e pandehur nuk mund të përfaqësojë më interesin publik dhe të administrojë tendera që peshojnë miliarda nga taksat e shqiptarëve.

Deputetja demokrate e konsideron situatën si përgjegjësi direkte politike të kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi se ka ngritur “korrupsionin në metodë qeverisjeje”.

 

Postimi i Tabakut:

 

Belinda Balluku u mor sot e pandehur nga SPAK.

Nga sot, Shqipëria ka një zëvendëskryeministre të pandehur dhe një tjetër në kërkim ndërkombëtar.

Kjo është fotografia reale e një qeverie që prej vitesh fshihet pas propagandës, ndërsa korrupsioni ka zëvendësuar meritën, ligjin dhe përgjegjësinë.

Tenderi i tunelit të Llogarasë, i denoncuar nga Gazment Bardhi mbi një vit më parë, është vetëm maja e ajsbergut. Pas tij qëndron një zinxhir aferash — nga aeroporti i Vlorës e deri te blerjet e energjisë — që rëndojnë mbi zëvendëskryeministren e vendit dhe mbi mënyrën sesi kjo qeveri përdor pushtetin.

Belinda Balluku duhet të japë dorëheqjen menjëherë.
Një zëvendëskryeministre e pandehur nuk mund të përfaqësojë më interesin publik dhe nuk mund të administrojë tendera e kontrata që peshojnë miliarda nga taksat e shqiptarëve. Shqipëria meriton një proces të pastër, pa ndikim politik, pa pengesa dhe pa frikë.

Por kjo nuk është vetëm përgjegjësi individuale.
Kjo është përgjegjësi politike e Kryeministrit Edi Rama, arkitektit të një sistemi që e ka ngritur korrupsionin në metodë qeverisjeje. Një qeveri ku ministër pas ministri, zëvendëskryeministër pas zëvendëskryeministri, përfundojnë nën hetim, nuk mund të flasë më për zhvillim, investime apo integrim europian.

Korrupsioni i ngritur në sistem është arsyeja pse Shqipëria nuk zhvillohet, pse bizneset largohen dhe pse investitorët amerikanë e europianë hezitojnë të vijnë. Ky është realiteti i një vendi të penguar nga një pushtet që ka humbur busullën morale dhe politike.

Ky sistem ka një emër dhe një përgjegjës.
Deri sa të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë — nga ministrat te Kryeministri — Shqipëria nuk do të ecë përpara.
Ky është momenti për të thyer sistemin që ka marrë peng vendin dhe për të rikthyer shpresën se politika mund të jetë në shërbim të qytetarëve, jo mbi ta.