
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të jetë sot i pranishëm në seancën publike që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i tij ndaj vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra.
Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar një shkresë Veliajt, duke e pyetur nëse dëshironte të merrte pjesë personalisht në seancë. Katër ditë më vonë, më 13 tetor, gjykata njoftoi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, duke kërkuar marrjen e masave të nevojshme në rast se Veliaj do të ishte i pranishëm.
Veliaj paraqiti ankim në Gjykatën Kushtetuese më 25 shtator, kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij, i cili ishte propozuar më herët nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Tiranës, por ky dekret u pezullua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të përkohshëm, derisa të jepet vendimi përfundimtar mbi çështjen.
Kjo do të jetë hera e parë që Erion Veliaj del nga qelia e paraburgimit që prej arrestimit të tij më 10 shkurt. Ai ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK, për vepra penale të korrupsionit të kryer nëntë herë në bashkëpunim.