
Kreu i PD-së Berisha ka pritur reporterin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder si dhe një grup gazetarësh austriakë e gjermanë.
Kryedemokrati shkruan se gjatë takimit i ka njohur ata me presionin që ushtrohet ndaj opozitës në Kuvend dhe pengimin e ngritjes së komisioneve hetimore.
“Takim me reporterin e PE për Shqipërinë Z. Andreas Schieder dhe një grup gazetarësh gjermanë e austriakë. Pata kënaqësinë të takoja dje në selinë e Partisë Demokratike, eurodeputetin Andreas Schieder, reporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë, anëtar i Komitetit të Stabilizim Asocimit të PE me Shqipërinë dhe një grup gazetarësh austriakë e gjermanë që mbulojnë rajonin dhe Bashkimin Europian. Gjatë një bisede të hapur e të ngrohtë i njoha miqtë me presionin që ushtrohet ndaj opozitës në Kuvend, moslejimin e interpelancave dhe ngritjen e komisioneve hetimore, një e drejtë kushtetuese e çdo opozite në çdo vend demokratik.” – shkruan Berisha në Facebook.

Ai shton më tej se Shqipëria nën Edi Ramën është një narkoshtet dhe parajsë e narkotrafikut, pastrimit të parave të drogës dhe korrupsionit galopant.
“Theksova se kjo, ndër të tjera, përbën edhe dallimin mes një diktature totalitare dhe një autokracie, apo një narko-diktature, siç është Shqipëria nën Edi Ramën. Si ‘narkoshteti i parë’ dhe i verem ne në Europë, Shqipëria nuk cilësohet nga unë dhe as nga opozita, por është pjesë e një vargu hulumtimesh, reportazhesh dhe dokumentarësh në mediat austriake, gjermane, belge, italiane dhe franceze, duke filluar që nga viti 2017. Shqipëria nën qeverisjen e Ramës është bërë një parajsë e narkotrafikut, pastrimit të parave të drogës në ndërtim dhe korrupsionit galopant. U theksova miqve se, Partia Demokratike e ka të qartë dhe të pandërprerë vokacionin pro-perëndimor, dhe angazhimet eurotlantike janë në themel, jo vetëm të vizonit të saj që në zanafillë, në vitin 1990, por edhe shtylla mbi të cilat është qeverisur vendi nën drejtimin e saj. Biseda ishte e hapur dhe me tematikë të gjerë.” – mbyll Berisha shënimin në Facebook.

