
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, është thirrur për t’u paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Në bazë të fletëthirrjes së dorëzuar në adresën e saj, Balluku duhet të paraqitet në orën 15:00, ku pritet që t’i komunikohen zyrtarisht akuzat e ngritura ndaj saj.
SPAK po heton zv/kryeministren për shkelje të barazisë në tendera, në lidhje me kontratat e ndërtimit në tunelin e Llogarasë, një çështje për të cilën janë arrestuar më herët disa prej vartësve të saj, përfshirë ish-kreun e ARRSH-së, Evis Berberi, i cili po hetohet dhe gjykohet për disa akuza të korrupsionit.
Kjo është fletëthirrja e dytë drejtuar Ballukut, pasi herën e parë ajo nuk u paraqit në SPAK për shkak të një vizite zyrtare jashtë vendit.
Sipas ligjit, në rast se refuzohet edhe fletëthirrja e dytë, Prokuroria e Posaçme ka të drejtë të kërkojë shoqërimin me polici të personit nën hetim.